Kreu Sociale Thana, pema “hyjneshë” ku rrinin zanat dhe shtojzovallet

Thana, pema “hyjneshë” ku rrinin zanat dhe shtojzovallet

341
0

Pergatiti eksperti Kristo KAURI

Karakteristikat Botanike: Thana, është një shkurre, që bën pjesë në familjen Thanore  Cornaceae), dhe në gjininë Cornus. Emrin shkencor e ka Cornus mas L. Në frengjisht quhet Cornullier male, në italisht, Corniolo maschio dhe në gjuhën greke quhet kavia (Kranja).
Në gjininë Cornus njihen rreth 65 specie, por vetëm dy, Cornus mas L, dhe Cornus officinalis janë përdorur tradicionalisht nga njeriu.
Specia Cornus mas L, shtrihet kryesisht në Europën Jugore, Azinë Jug- Perëndimore, ndërsa Cornus officinalis gjendet kryesisht në Azi, në Kinë, Japoni dhe Kore.
Në Mesjetë thana gjendej në gjithë Europën dhe hasej në manastire, vende të shenjta, oborre, kopshte…. Në kontinentin Amerikan është përhapur nga europianët.
Thana si shkurre, shkon 4- 7 metra lartësi dhe në vendet ku është kultivuar ka arritur 8-10 metra lartësi.
Emri shkencor “Cornus” rrjedh nga latinishtja që ka kuptimin “ brirë”, për vetë faktin se druri i thanës është i fortë si një bri. Emërtimin “mas” (male), ka kuptimin mashkullore, për ta dalluar atë nga shkurrja femërore, Thanukla (Cornus sanguinea).
Thana ka rritje të ngadaltë, të qëndrueshme dhe mund të jetojë 200 deri 400 vjet dhe më shumë. Shtrihet në lartësitë nga 50 deri 1400 metra mbi nivelin e detit.
Është dru dritëdashës, por mund të rritet shumë mirë dhe në mjedise me gjysëm hije. Me pak ose aspak shërbime, thana jep prodhim gati çdo vit. Është nga shkurret e para që lulëzon, këtë e realizon në fund të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars. Çel lulet para se të çel gjethet.
Lulet janë të vogla, 5- 10 mm, me katër petale, me ngjyrë të verdhë, në grupime 10- 25 së bashku.Janë lule hermaphrodite me organet mashkullore dhe femërore.
Fruti është një drupe me ngjyrë të kuqe, e stërgjatur, kjo sipas kultivarit, deri në 2 cm dhe me një farë të vetme.Zakonisht fruti piqet në mes të verës, apo nga fundi i saj dhe vazhdon kjo sipas klimës deri në muajin shtator.Frutat quhen të pjekura plotësisht kur ato bien nga pema.Në këtë kohë ngjyra nga e kuqe bëhet e kuqe e errët.
Lulet e verdha në fillim të pranverës( pa çelur gjethet), dhe frutat kur piqen japin efekte befasuese, duke krijuar pamje dhe peisazhe të bukura.

Klima dhe Toka: I pëlqen klima mesdhetare paramalore dhe malore. Duron temperatura deri – 25 gradë, shkurre që duron thatësiren, shumë rezistente ndaj erës, ndaj sëmundjeve…Është shkurre që pothuaj nuk preket fare nga sëmundjet.
Përshtatet shumë mirë në tokat shkëmbore, gëlqerore me PH neutral, por shkon mirë dhe në tokat e lehta, ranore, të mesme dhe në toka të rënda argjilore.E ndeshim shpesh dhe në tokat e pjerrta, shumë të pjerrta, rrëpira dhe të rrezikuara nga erozioni. Nuk i pëlqejnë ekspozimet detare që rrihen nga erërat e kripura.

Shumëzimi i Thanës : Thana shumëzohet me farë ose në menyrë vegjetative, me llastarë ose me kalema. Shkurrja e thanës vlerësohet dhe mund të mbillet në terrene të vështira, në rrëpira, në tokat e pjerrta, të thata ..në formë brezash, për t’i mbrojtur ato nga erozioni dhe gërryerjet.
Banoret kanë një periudhë të gjatë kohore që e kultivojnë, si rrjedhojë janë krijuar klone dhe genotype natyrale të shumta.Këto janë një bazë e mirë nga ku mund të mirret material mbjellës për shumëzim.
Me këte kulturë në vendin tonë, në mënyrë të organizuar nga institucionët nuk është marrë njeri.Kjo i është lënë rastësisë dhe spontanitetit të kultivimit të saj, vetëm nga banorët.
Të parët tanë e kanë ripërtërirë duke e prerë për të provokuar llastarizimin.
Shtimi me fidana është i suksesshëm vetëm me fidana tre vjeçarë.Kjo është mosha që fidani arrin kushtet dhe standartet.
Thana nuk kërkon shumë shërbime agroteknike, por krasitjet formuese, prerje të filizave që dalin nga trungu, plehërimet..janë të domosdoshme për zhvillimin e saj normal.

Histori- Mite dhe Legjenda : Shkrimet e para për thanën i gjejmë nga Homeri tek “Iliada”. Babai i sistematikës se bimeve Theofrasti ( 371- 287 PK), veçon dy lloje shkurresh, mashkullore dhe femërore, Cornus mas L dhe Cornus sanguinea. Cornus mas në veprat e Theofrastit është pema e preferuar e Tij, ku e vlereson si një dru të shëndetshëm dhe me shumë vlera.
Banorët e lashtë e kanë marrë thanën nga mjediset pyjore ku rritej në mënyrë natyrale dhe e kanë mbjellur atë në kopshtet e shtëpive, në hyrje të tyre, në kufij midis shtëpive, në ledhe…
Në lashtësi thana ishte një bimë jetike për banorët. Ajo përdorej si ushqim , në aktivitete të ndryshme, në përgatitjen e armëve të luftimit, si heshta, harqe, shigjeta…. Deri në shekullin e shtatë e.s, shtizat, harqet, shigjetat bëheshin kryesisht nga druri i thanës.
Plutarku, shekulli I-rë, shkruante se mbreti Romul (753 PK), për të dëshmuar fuqinë e Tij shënoi malin me një shigjetë thane, e cila u ngul shumë thellë në tokë dhe asnjë luftetar nuk mundi ta shkulte.
Edhe luftetarët e Aleksandrit të Madh, Mbretit Pirros, armët e luftimit i kishin edhe prej druri të thanës.
Edhe në vargjet e Virgjilit, 70-19 PK, tek poema “Eneida” përmendet epërsia e shigjetave të thanës.
Në kronikat e luftërave të Gjergj Kastriotit shkruhej për shigjetat e drurit të thanës që janë me të forta se hekuri.
Në legjendat në trojet Ilire, drurin e thanës e kanë hymnizuar si drurin me të fortë, symbol i krenarisë, i qëndresës, shëndetit..
Shprehja “ I thatë e i thantë” tregon: që të jesh i fortë, duhet të jesh i fortë si druri i thanës, duhet të jesh nga thana.
Thana për Ilirët ishte një Hyjneshë, një Zanë, që të mbronte nga ligësitë dhe të keqiat..
Në shumë zona në Shqiperinë e mesme, në jug të vendit, banorët merrnin degë të lulëzuara nga thana dhe i vendosnin anës portës së jashtme, në kufi të oborrit, në kufijtë e bahçes ..për të mbrojtur shtëpinë, mjedisin, njerëzit nga të ligjtë, nga xhindet, djajtë.. Historikisht shqiptarët, popujt ballkanas, e kanë patur traditë mbjelljen e thanës në kufinjtë ndarës midis banesave, trojeve, midis arave, ledheve, që të mbroheshin nga të këqijat.Pema e thanës konsiderohej Hyjni ku rrinin Zanat, Orët, Shtojzovallet dhe mbronin mjedisin rreth tyre nga të këqijat.
Shprehja që përdoret shpesh në për biseda, shkrime, “ Ja vuri kufirin të thana”, këtu e ka kuptimin dhe mesazhin, që njeriu që bën ligësira, të këqia, që nuk e zë gjumi për prapësira, deri atje e ka forcën e ligësisë, deri tek thana arrin ligësia e tij, me tutje nuk e lënë perënditë, zanat, shtojzovallet..
Shprehjen “ I fortë si thana” , “I kuq si thana” përdoreshin kur i drejtoheshin një njeriu me shëndet të mirë. Shprehja “I ka fjalët thanë” thuhej për njerëzit jo të këndshëm, jo gojëëmbël, ose shprehja “ Flet si e ëma e Zeqos majë thane”, përdorej për njerëzit që flasin kot, pa u menduar.
Profesor Moikom Zeqo dëshmon në kërkimet e Tij se: Thana për Ilirët ishte një Hyjneshë me atributet e Artemisës në mitologjinë greke, apo të Dianës në mitologjinë romake.
Edhe profesor Eqerem Çabej e ka studjuar shumë Thanën- Zanën (Hyjneshë), që ishte mbrojtësja e pyjeve, e livadheve, burimeve, lumenjve, që ishte Zonja e gjuetisë, erës, Hyjnesha e pranverës..
Prindërit për të parandaluar apo dënuar çapkënllëqet e femijëve iu drejtoheshin me shprehjet” Do marr një shkop thane, dhe ku të dhëmb dhe ku s’te dhëmb”. Shprehja tjetër “ Do t’i thanatos këmbët e duart”. Prindërit dhe mësuesit shpesh i përdornin këto shprehje, por shumë rrallë ose aspak e përdornin drurin e thanës.

Përdorimi i Thanës : Bima e thanës me kalimin e vitëve gjithmonë e më shumë po ngjallë interes dhe vlerësohet më shumë.
Për vlerat e luleve, ngjyrën e verdhë, për ngjyrën e frutave, të gjetheve, ngjyrën e trungut, të degëve..po zë një vend të merituar si dru zbukurimi në gjelbërimin e kopshteve, parqeve, oborreve, rrugëve..
Druri i thanës është i ngjeshur, i fortë, i rendë…Kjo i jep privilegjin të përdoret gjerësisht në bërjen e mekanizmave të mullirit, ingranazheve.Vleresohet si dru në zdrukthtari, për bërjen e bishtave të veglave, bastuneve për moshën e thyer, bastuneve për barinjtë, istrumenteve muzikore, skulptura të ndryshme artistike, për enë, për shporta, kosha, furka etj.
Frutat e thanës konsumohen të freskëta, ose ato mund të mblidhen dhe të ruhen. Me frutat tradicionalisht janë bërë pije dhe lëngje të ndryshme, reçel, prevede, marmelatë, likere, shurupe, verë, raki, uthull..të gjitha këto të një cilesie shumë të mirë. Shumë banorë në disa zona të vendit dhe në vende të tjera, me frutat prodhojnë salca, rusët me sukses e përdorin në prodhimin e vodkes. Në Greqi, pas një financimi të BE, nga thana prodhohen dhe tregëtohen mbi 12 lloje pijesh.
Thana gjen përdorim të gjerë në mjeksi.Nga frutat dhe vaji i nxjerrë nga farërat, shërojnë dhe rigjenerojnë indet e dëmtuara të lekurës të brendëshme dhe të jashtme.Është përdorur me sukses në shërimin e ulçeres në stomak, kolitin, në luftimin e staphyllococcusit.
Frutat përmbajnë antioksidantë, me veti shëruese kundër kancerit, diabetit. Frutat në lashtësi konsideroheshin një “ Farmaci” në shtëpi dhe me to përgatiteshin ilaçe për sëmundjet e diareve, dizenterisë. Fruti shquhet për përmbajtjen e lëndëve regjëse dhe përdoret kundër dhimbjeve të kyçeve, anemisë.Çajrat nga filizat e rinj, janë përdorur kundër etheve, tuberkulozit, mënjanimin nga trupi të radioaktivitetit.
Frutat e thanës kanë vlerat më të larta nga të gjitha frutat kundër plakjes.Ato përmbajnë melatoninë një hormone rregullues i ritmit të jetës.
Lëvorja dhe gjethet përmbajnë lëndë që përgatiten bojrat e verdha për ngjyrosjen e pëlhurave.Nga bërthamat nxirret vaji, që përdoret për përgatitjen e bojrave të piktorëve.
Produktet dhe nënproduktet e thanës , konsiderohen si ushqime dhe pije bio, të shëndetshme dhe janë shumë të kërkuara nga eksporti.
Ekzistenca e saj në menyrë natyrale, pothuaj në të gjithë vendin, krijimi i kultivarëve të rinj nga banoret, kushtet e mira klimatiko-tokësore në zonën paramalore dhe malore, na bëjnë që ta vlerësojmë më mirë thanën dhe të mos ja lëmë rritjen dhe shumimin e saj spontanitetit.

Literutura e përdorur: Enciklopedia greke, Enciklopedia italiane, “Flora Ekskursioniste e Shqipërisë” e Mustafa Demirit, Koço Mosko “Bota Bujqesore” Cornus mas L.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.