Kreu Ditar Thodhori Mastora, djaloshi me zemër të artë

Thodhori Mastora, djaloshi me zemër të artë

189
0

Thodhori Mastora, ishte luftëtar i orëve të para kundër pushtuesve fashistë. Në vitin 1943, ishte zgjedhur Komandant i batalionit partizan “Thanas Ziko”. Në Prill 1944, ishte komandant batalioni në brigadën VIII-t Sulmuese. Gjatë luftës mori plagë të rënda, por u bëri ballë dhe sapo u shërua, vazhdoi luftën.

Thodhori Mastora u lind në fshatin Çatiste të Gjirokastrës më 15 Nëntor 1920, në një shtëpi të varfër, në këmbët e malit Bureto ku hapi për herë të parë sytë dhe i mbylli përgjithmonë në lulen e djalërisë, në shkrepat e Malit të Zi.

Varfëria dhe përbuzja e pritën që në hapat e para të jetës. Dëgjonte vetëm mallkime. Po që kur komunistët me dritën e fjalës së Partisë, i treguan rrugën e shpëtimit, ai nuk dëgjoi më veç se sinjalin e së ardhmes së lumtur. Shumë njerëz e kanë njohur Thodhori Mastorën si bir të varfër të një bariu të përbuzur nga Çatista, me të tjerë që e njohën më vonë në përpjekjet e përditshme për të nxjerrë copën e bukës, si hyzmeqar, punëtor, me shokë që e njohën në mbledhjet ilegale, në vitet e stuhisë si ushtar të lirisë.

Thodhori ishte njeeri me zemër të artë, trim, luftëtar i vërtetë i lirisë. Në kujtimet e një shoqe ato ditë Nëntori 1942, kur unë isha ende e vogël dhe familja ishte ulur pranë zjarrit, papritur babai tha:

-Sonte partizanët do të godasin komandën. Nëna e vështroi e frikësuar:

-Do të bëhet luftë? – Jo tha duke qeshue babai, dasmë do të bëhet. Do të martohen breshkamanët me vdekjen. Një trim me fletë nga Çatista iu përgjigj babai.

Natën kërciti pushka. Armiqtë u detyruan më në fund të dorëzohen. Kur u gdhi të gjithë fshatarët u derdhën në mes të fshatit. Atëherë e pashë për herë të parë Thodhoriun. Ai përqafonte fshatarët dhe i puthte. Më pas partizanët hapën një depo ushqimesh të fashistëve dhe ai, duke iu drejtuar disa grave të varfëra tha:

-Merrni, merrni! Kur të mbaroj lufta, do të kemi me bollëk.

Në një çast rroku në krahë një fëmijë dhe, duke i ledhatuar flokët, i tha: Sa të lumtur do të jeni ju, o fëmijë!

Pak më vonë, kur në sheshin në mes të fshatit, duart u bënë një zinxhir dhe vallja sillej rrotull. Thodhoriu që e hidhte i pari vallen me shkathtësi, këndonte e qeshte tërë gaz. Shokët që e kanë njohur Thodhoriun, flasin për trimin dhe shokun e tyre të luftës.

-Të gjithë donim Thodhoriun, qe trim, i dashur, i gëzueshëm. Me fjalën e tij të ngrohtë vriste lodhjen. I deshte shokët e tij! Edhe këpucët i nxirrte nga këmbët për ta. “Merrini” – u thoshte duke qeshur. “Unë e kam lëkurën më të argasur”, dhe ecte në shkrep dhe në borë.

…Forcat e Brigadës 8-të Sulmuese, në radhët e së cilës qe inkuadruar edhe kompania që komandonte Thodhoriu ranë në përpjekje me armiqtë. Në beteje Ai u plagos dhe u shkëput nga shokët. Ditë me radhë ndenji i vetëm në një shpellë në grykën e Selckës, Plaga filloi t’i kalbej. Urija po i thithte edhe forcat e fundit. Ilaçet, ushqimet të gjitha i mungonin. Me bollëk kishte vetëm një gjë: dashurinë për jetën, shpresën se shokët do ta gjenin patjetër. Dhe e gjetën. E vendosën në një shtëpi të thjeshtë fshatare të Selckës, ku ai pati kujdesin prindëror dhe si u shërua u kthye përsëri në radhët e luftëtarëve të lirisë dhe luftoi trimërisht për Çlirimin e Tiranës.

Për herë të fundit, është parë në tokat jugosllave në Bërskut. Nazistët mbroheshin në disa kodra të fortifikuara. Poshtë kalonte xhadeja. Që andej erdhën kundër forcave tona autoblinda e automjete të tjera me ushtarë. Vendi përreth ishte i zhveshur, i mbuluar me dëborë. Beteja indez e ashpër. Thedhoriu komandant i batalionit të II-t, u ngrit i pari në këmbë. Pas tij u ngritën të gjithë partizanët. Filloi sulmi. Gjermanët e rrihnin vendin me zjarr dhe hekur. Një plumb armik e goditi Thodhoriun. Ai trup i lidhur që me aq shkathtësi përdridhej në lëvizjet e valles, ra mbi dëborën që shndriste e larë nga drita e diellit. Nuk fliste, vetëm lëvizte buzët, thuaj se na përshëndeste ne dhe lirinë. Sytë e tij qëndronin të palëvizshëm, thua se i kish ngulur diku larg në të ardhmen. Në fytyrën e tij zeshkane nuk dalloje ndonjë shenjë hidhërimi. Muskujt e tij mbanin akoma tensionin e betejës.

Ishte mesi i Dhjetorit i 1944-ës.

E varrosëm në një pllajë në Verushë. Beteja vazhdonte akoma. Pushka partizane oshëtinte. Dhe atje, në luftë, lindën vargjet e këngës.

U vra komandanti trim, shoku ynë Thodhori Mastora.

Kështu i përcillnin partizanët për në pavdekësi shokët e tyre që binin Dëshmorë duke qëlluar armiqtë jo vetëm me plumba por edhe me këngë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here