Kreu Sociale “Tirana 100 vjet Kryeqytet”

“Tirana 100 vjet Kryeqytet”

71
0

Historianë, studiues, studentë dhe personalitete të njohura të jetës publike u mblodhën sot në Simpoziumin shkencor “Tirana 100 vjet Kryeqytet”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky 100-vjetor është momenti i duhur për të pasur një vëmendje të veçantë ndaj dijes, ashtu sikurse ata që morën vendimin e rëndësishëm për ta kthyer Tiranën kryeqytet, investuan në arsim.

“E shoh këtë takim të sotëm si një tullë për dije. Institucioni i parë që u krijua në Tiranë, në Mars, një muaj pas krijimit të Parlamentit, ishte Biblioteka Kombëtare. Pra, që atëherë, etërit themelues të këtij shteti dhe të këtij qyteti investonin në dije. Shpresoj shumë që do ta shfrytëzojmë këtë alibi sepse ndonjëherë duhet ndonjë pretekst, dhe ky është perfekt për t’u investuar në dije”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se ky është edhe një moment reflektimi për të marrë vendime të drejta që e çojnë qytetin përpara. “Kur vjen një ditëlindje, nuk ka rëndësi nëse është e 2-ta, e 30 apo e 40-ta, secili prej nesh reflekton. Edhe një qytet duhet të reflektojë, çfarë bëmë këto 100-vitet e para? Shfrytëzuam realisht çdo ditë, çdo vit, çdo dekadë? Jo, disa herë kemi humbur kohë kot, disa herë kemi harxhuar kohë duke i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit, duke u marrë me llafe. Ndërkohë, në momentet që kemi qenë të organizuar dhe kemi bërë punë të dobishme, qyteti ka ecur përpara. Pyetja që kemi për 100-vjeçarin tjetër është kjo: Do të duhemi më shumë dhe do urrehemi më pak? Do punojmë më shumë dhe shpotisim më pak? Do inkurajojmë më shumë dhe vëmë më pak stërkëmbësha? Nëse përgjigja, siç shpresoj është ajo pozitivja, qyteti do të ecë përpara”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se në jo pak raste vendimet e drejta hasin edhe në rezistencë, por janë të domosdoshme për ta kthyer këtë qytet në një histori suksesi. “Nëse angazhohemi si një milion veta që janë dashnorë të dijes dhe jo të gjësë, jo të tahmasë, jo të çudirave që kemi parë vitet e fundit, realisht mund ta kthejmë këtë qytet në një histori suksesi. Na dhëntë Zoti forcë të bëjmë vendime të drejta për këtë qytet. E kuptoj, nuk mund të jenë të gjithë dakord, por në një moment duhet të merren vendime dhe të ecim përpara. Jam shumë i ndërgjegjshëm, kur të shkruhet historia e këtij qyteti, do të diskutohen vendimet tona. Qyteti ka nevojë të marrë vendime dhe duhet të bëjë më të mirën e mundshme, që të jenë sa më të drejta. Besoj se me këtë frymë t’i futemi këtij 100-vjeçari të dytë. Nga nesër përveshim mëngët për të filluar shekullin e dytë”, shtoi ai.

Gjatë simpoziumit, historianë dhe studiues të njohur folën rreth zhvillimeve të atyre  viteve të vështira ku përcaktohej fati i Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.