Kreu Aktualitet Tjetër premtim i mbajtur për vogëlushët e Njësisë 2

Tjetër premtim i mbajtur për vogëlushët e Njësisë 2

713
0

Ky vit i ri arsimor i gjeti vogëlushët e Njësisë 2 me kopshtin e rikonstruktuar dhe me infrastrukturë moderne. Pas rikonstruksionit të çerdheve dhe të rindërtimit të shkollës “Kosova”, Bashkia e Tiranës rikonstruktoi edhe “Kopshtin 18” në Rr. “Mihal Grameno”, i cili ofron jo vetëm kushte më të mira për fëmijët, por njëkohësisht ka ulur edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.
“Jam shumë entuziast sot që hapet “Kopshti 18”, një kopësht jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua sepse dikur ka qenë edhe kopshti im. Jam shumë i lumtur që kopshti jo vetëm është rregulluar, por i janë shtuar hapësirat me disa dhjetëra metra katrorë. Do të thotë që kemi shtuar grupet, kemi kaluar nga një kopsht me 150 fëmijë në një kopsht që tani ka thuajse 300 fëmijë”, tha Veliaj.
Ai tha se falë investimeve të realizuara nga Bashkia e Tiranës, kopshtet publike ofrojnë kushte shumë herë më të mira, duke bërë që edhe kërkesa e prindërve të jetë më e lartë. “E di që këmbëngulja e prindërve për t’i çuar fëmijët në kopshtet publike është shumë e madhe. Për ne është kompliment. Do të thotë se kopshtet publike e kanë rritur aq shumë cilësinë, saqë për një vend në kopshtet publike kemi një pafundësi kërkesash. Megjithatë, duke qenë se kopshtet, edhe në administrim do t’i kalojnë Bashkisë së Tiranës, pra jo vetëm si ndërtim, por edhe si furnizim, besoj që edhe ne do të përgatitemi që të përballojmë më mirë nevojat që ka Tirana”, tha Veliaj, i cili falenderoi donatorët për kontributin që kanë dhënë për përmirësimin e infrastrukturës.
“Ne vërtet investuam në rikonstruksionin e kopshtit, por kishim nevojë për një ndihmë me mobiljet, të cilat na janë financuar shumë bujarisht nga ambasada turke dhe TIKA. Ky bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, të cilët ndihmojnë me gjëra konkrete, jo me seminare e konferenca, por diçka të prekshme, siç ishte mobilimi i këtij kopshti, bëri që të dyja fuqitë bashkë, e bashkisë dhe e qeverisë turke, të realizonin në një kohë rekord këtë kopësht fantastik, për të cilin kam nostalgji, dhe që mbush nevojat e një pellgu familjesh të reja që kanë shumë nevojë për arsim cilësor”, tha kryebashkiaku Veliaj.
“Kopshti 18” është dëshmi e asaj që Bashkia e Tiranës ka bërë dhe po bën gjatë këtyre 3 viteve për të ofruar një shërbim cilësor për rritjen, edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të jetë gati edhe shkolla “Mihal Grameno”, e cila është në proces rikonstruktimi. “E kemi filluar këtu mbrapa me një çerdhe të re, pastaj fëmijët rriten dhe vijnë në një kopsht të ri, e pasi mbarojnë ciklin në kopshtin e ri, mund të shkojnë te shkolla “Kosova” ose te shkolla “Mihal Grameno”, që sapo ka filluar rikonstruksioni dhe do jetë gati vitin tjetër. Eksperienca në Tiranë do të jetë një eksperiencë ideale për fëmijët, diçka që e mbajnë mend tërë jetën dhe që i ka formuar ata si njerëz të shkëlqyer”, deklaroi Veliaj.
Duke e cilësuar Shqipërinë një vend mik të Turqisë, ambasadori turk në vendin tonë, Murat Ahmet Yörük, u shpreh se numri i projekteve të realizuara në vendin tonë është rreth 500. “Në kuadër të këtyre ndihmave, ne realizojmë edhe projektet tona në Shqipëri, një vend mik i yni dhe i dashur për ne. Vetëm po të numërojmë projektet e TIK-ës të cilat janë edhe humanitare, por edhe për zhvillimin, e kalojnë numrin 500. Projekti ku gjendemi sot, inaugurimi i sotëm në këtë kopsht, bëhet për fëmijët të cilët janë e ardhmja e këtij vendi. Nga ky kopsht, në të ardhmen, do dalin kryetarë të rinj të bashkive, do dalin doktorë të rinj, do dalin inxhinierë të rinj”, deklaroi ambasadori turk.
“Kopshti 18” ndodhet në Rr. “Mihal Grameno” dhe godina e tij ishte plotësisht e amortizuar. Me investimin e Bashkisë së Tiranës është ndërtuar edhe një shtesë që do të bëjë të mundur akomodimin e dy grupeve të reja fëmijësh. Gjithashtu, është ndërtuar një dhomë e posaçme për kaldajën, si dhe është bërë riorganizimi i ambienteve të brendshme, ndërkohë që mjediset e fjetjes dhe të lojës janë shtruar me parket. Ndërhyrje ka pësuar edhe shtresa e tarracës, si dhe është realizuar ngrohja me kaldajë me peletë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.