Kreu Aktualitet “Together for Albania”, Konferenca e Donatorëve për rindërtimin

“Together for Albania”, Konferenca e Donatorëve për rindërtimin

310
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e Donatorëve në Bruksel:

Më duhet të them që jam thellësisht i prekur e dua ta nis duke thënë shumë thjesht:

Thank you! Please!

Merci! S’il Vous Plait!

Danke! Bitte schön!

Grazie! Per favore!

Teşekkür ederim! Lütfen!

Do doja që të mund të vijoja të thoja “Faleminderit!” dhe “Të lutem!” në të gjitha gjuhët tuaja e nëse mundem në gjuhën time, “Faleminderit!” dhe “Ju lutem!”.

Faleminderit nga thellësia e zemrës për mbështetjen e vyer që keni dhënë deri më tani!

Ju lutem, flas këtu në emër dhe nga zemra e të gjithë shqiptarëve, ju lutem, na mbështetni ca më tej!

Faleminderit që pranuat ftesën e Presidentes së Komisionit Europain në këtë mbledhje të posaçme, për të kuptuar se sa të errëta kanë qenë këto momente për vendim tim. Kështu që po, ju lutem, na ndihmoni teksa përpiqemi të rimëkëmbemi nga dëmet që shkojnë përtej mundësive tona njerëzore e të rindërtojmë nga goditja e pamëshirshme që na goditi në orët e hershme të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Faleminderit Ursula, ty personalisht dhe ekipit tënd të mrekullueshëm!

Faleminderit po ashtu Charles Michel, që na treguat që prej atij momenti të parë tronditjeje, deri në këtë moment kaq të ngrohtë e ngushëllues të kësaj mbledhjeje kaq të madhe, frymën e Bashkimit Euorpian, të këtij organizmi të mrekullueshëm që ka bërë kaq shumë, për të çuar përpara paqen dhe prosperitetin në mbarë një kontinent të përkufizuar nga lufta e që i ka dhënë kaq shumë ndihmë vendit tim dhe rajonit nga i cili vij, gjatë 3 dekadave përpjekjeje për të ndërtuar shtete demokratike në rrënojat e komunizmit e diktaturës që la pas për shoqëritë tona.

Ju patët vetë tërmetin tuaj së fundmi me BREXIT-in dhe unë isha kaq i trishtë e sa e çuditshme ishte që unë, duke ardhur nga një vend që kërkon kaq dëshpërimisht të jetë pjesë e BE-së, të shohë një vend të madh si Mbretëria e Bashkuar të vendosë të largohet. Sa i lumtur do të isha nëse flamuri i mrekullueshëm shqiptar do të ngrihej e të zëvendësonte flamurin e bukur britanik që është hequr në Bruksel! Megjithatë nuk do t’ju them “ju lutem bëjeni”, nuk do ta kërkoj këtë, sepse jeta nuk është kaq e thjeshtë.

Si ishte kënga e John Lenon?

“Jeta të ndodh ndërkohë që je duke bërë plane të tjera.”

Ne, në fakt ishim të zënë duke bërë plane e duke bërë përparime. E ndërkohë, toka u trondit, përpiu njerëzit. Vendi u trondit dhe që prej atij momenti, gjithçka është përqendruar tek përballimi i periudhës së mëpasme, ndërkohë që planet e tjera është dashur të zënë një vend të dytë.

Megjithatë, unë ndihem kaq mirë të zbulonim në momentet tona tragjike që nuk ishim të vetëm me dhjetëra të vdekurit tanë, qindra të plagosurit e mijëra të pastrehët, sepse kishim kaq shumë miq të shkëlqyer, që vinin nga qielli, nga deti, nga toka, nga rajoni, nga kontinenti e përtej, që të ishin përkrah nesh, të luftonin me ne për të shpëtuar jetë, për të shëruar plagë, për të vlerësuar dëme e tashmë në përpjekje për të ndërtuar shtigje të reja për të ardhmen.

Faleminderit!

Faleminderit të dashur miq nga Turqia për ndihmën që ju dhatë, ashtu siç bëri dhe Komisioni i ri Europian menjëherë në periudhën pas tërmetit.

Faleminderit shumë të nderuar miq nga vendet e Gjirit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miq në Azi gjithashtu, të gatshëm të ndihmoni e të punoni sëbashku me miqtë tanë europianë për këtë konferencë të jashtëzakonshme.

Faleminderit të nderuar miq nga fqinjët, Ballkani Perëndimor që jeni këtu me mua sot dhe dëshmoni përmes pranisë e angazhimeve tuaja sa shumë ky rajoni ynë i trazuar ka ndryshuar gjatë viteve të fundit e sa real është vullneti ynë, të ndërtojmë për fëmijët tanë një vend krejtësisht të ndryshëm nga ai i gjakderdhjeve, konflikteve, mosmarrëveshjeve që kanë mbajtur peng popujt tanë e vendeve tona për breza të pafundëm.

Faleminderit të nderuar miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Banka Botërore, Banka e Investimeve Europiane, BERZH, KfW, shtetet e Ligës Arabe e shumë të tjerë.

Faleminderit!

Mirënjohja që ndjej për të gjithë ju nuk ka kufi.

Vetëm fakti që sot jeni të gjithë këto më ngroh zemrën dhe më mbush me emocione, personalisht dhe besoj për të gjithë shqiptarët, ata që na shohin nga shtëpitë e ata që jetojnë e punojnë në shumë prej vendeve tuaja, kaq shumë prej tyre që shpresojnë një ditë të kthehen e të jetojnë në një Shqipëri që është e zhvilluar, e begatë, mirëfilli europiane, siç ëndrra në të cilën ne besojmë e për të cilën luftojmë ditë për ditë, për të gjithë ndihmën që na keni dhënë, në këtë rrugëtim kaq të vështirë.

Faleminderit!

Jemi ndjerë kaq shpesh sikur luftojmë për të mbijetuar. 100 vjet më parë, ndërkohë që rajoni ynë dilte nga luftërat ballkanike dhe e gjithë bota përpiqej të rimëkëmbej nga lufta që presupozohej t’u jepte fund të gjithë luftërave, nuk e teproj të them që ne u përballëm me rrezikun e asgjësimit dhe shumë mallkime të historisë sonë ngriheshin si pengesa ndaj të ardhmes tonë më të mirë.

Konferenca e Versajës ishte një moment kërcënimi ekzistencial, por miqtë tanë u gjendën aty, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Zvicra, Turqia, Britania, të gjithë siguruan që të na jepej shansi që të tregonim se mund të zinim vendin tonë në Lidhjen e Kombeve. Në atë ag të viteve ’20-të, Shqipëria ishte entuziaste nga ideja që një e ardhme më e mirë ishte e mundur dhe bëri përpjekje për të ecur drejt saj.

Por Lufta e Parë Botërore nuk i dha fund të gjitha luftërave. Lufta e Dytë Botërore e ndoqi më pas e pas kësaj, për Shqipërinë, 4 dekada e gjysmë e një forme më brutale të diktaturës komuniste. Kjo, do të shtoja, në vendin e vetëm të kontinentit tonë që kishte hebrenj më shumë pas luftës sesa përpara saj, falë kodit të pathyeshëm të mikpritjes dhe vëllazërisë fetare që ne e kremtojmë, e ruajmë si dritën e syve edhe sot.

Por mallkimi i historisë u kthye. Ne ishim sërish të burgosur, Koreja e Veriut e Europës. E dinim që jo larg nesh kishte një botë tjetër dhe donim të ishim pjesë e saj.

Ajo botë ishte Europa. Kjo Europë, këtu dhe tani, ishte ëndrra, ideali, frymëzimi që na mbajti gjallë, që të ecnim dhe ende na ndihmon të ecim. E natyrisht ka më shumë se një arsye pse shqiptarët janë eurofanatikë, do të thoja, një lloj specie unike në kontinentin e sotëm.

Kështu, drejt 2019-s e në vigjilje të 2020-s, dy plagë të mëdha na u hapën.

Njëra fizike, tjetra politike. Të dyja u bënë bashkë për t’i lënë miliona shqiptarë, në vend e në mbarë botën, të tronditur tërësisht. Në fakt, plaga fizike është arsyeja pse jemi këtu; tërmeti i 26 nëntorit. Por edhe pas dridhjeve të para, ne sërish po përpiqemi të përballojmë pasojat e tërmetit të 18 tetorit, një ditë kaq e errët në kalendarin tonë, kur Këshilli Europian nuk vendosi për hapjen e bisedimeve në Shqipëri.

Më besoni, këto tronditje janë të ngulitura thellë në mendjen dhe në shpirtin tonë. Nuk jemi i vetmi vend në botë që përballet me një katastrofë natyrore e natyrisht, edhe tërmeti që kaluam nuk ishte më vdekjeprurësi i 2019-s në botë, por jemi të vegjël, relativisht të varfër. Vendet e mëdha, të pasura, mund t’i përballin vetë katastrofat e tyre. E kemi parë shumë herë, Amerikën dhe vende të mëdha që kanë reaguar e u janë kundërpërgjigjur katastrofave të shkaktuara nga natyra apo njerëzit dhe janë përgjigjur, kanë reaguar në mënyrë mjaft të mirë, por për vende të vogla nuk është kaq e thjeshtë, edhe pse jam shumë krenar për mënyrën si ne i përballuam pasojat më pas.

Çdo jetë e humbur ishte tragjedi, por arritëm të ruanim numrin deri në 51 dhe kjo natyrisht nuk ishte gjë e vogël përsa i përket reagimit të vendit tonë. Komunitetet u bashkuan me ne. Ne pamë kurajon reale, ndërkohë që njerëzit vraponin të ndihmonin fqinjët, pa marrë parasysh dridhjet e mëtejshme të tokës, në një shfaqje të paharrueshme uniteti që ne dëshmuam. Bëmë një punë të jashtëzakonshme në rrethana të vështira. U nxorën njerëzit jashtë nga rrënojat, u gjet strehë shpejt për gjithkënd, duke dhënë ushqime e rroba të ngrohta. Por, edhe njëherë, pa ekipet fantastike të shpëtimit dhe pa dorën e solidaritetit të shumë vendeve të pranishme këtu, mbi të gjitha e pikë së pari vendeve të BE-ë, numri i viktimave dhe shumë plagë do të ishin edhe më të thella. Faleminder

Tashmë të vdekurit janë varrosur, të afërmit e tyre i qajnë, kështu, sido që të jetë, duhet të shohim për nga e ardhmja. E ardhmja është më sfiduese kur e dimë që 17 mijë familje kanë mbetur pa strehë, mijëra ndërtesa të mëdha e të vogla duhet të fortifikohen, ndërkohë që infrastruktura e rëndësishme duhet të ndreqet. 53 monumente kulturore të trashëgimisë kombëtare duhen ruajtur.

Në fakt, Raporti Përfundimtar Pas-katastrofës tregon se na duhen rreth 1 miliardë euro për të ndrequr dëmet. Ndoshta për vendet e mëdha e të pasura, edhe pse nuk janë lekë xhepi, ndoshta të përballueshme, por për një vend si imi, me 4.2 milionë banorë, 1/3 e të cilëve jetojnë jashtë, ne kemi një PBB prej 13,5 miliardë euro, paga mesatare prej 420 eurosh dhe na duhet të përballemi me një dëm të drejtpërdrejtë të barasvlershëm me 6.4% të PBB-së tonë, plus humbjen e 1.1% të PBB-së. Për ne është një shumë e jashtëzakonshme. Nuk e bëjmë dot të vetëm. Na mungojnë paratë e më shumë se kaq, na mungon koha.

Ndaj po, sigurisht, jam këtu me një kërkesë dhe me një thirrje mjaft të drejtpërdrejtë: ju lutem na ndihmoni me grantet e me huatë e përballueshme, për të cilat kemi nevojë për të ndërtuar shtëpitë, komunitetet dhe besimin e shkatërruar! Ju lutemi, përgjigjuni vuajtjes tonë me bujarinë që i duhet. Ne do të bëjmë gjithçka mundemi e më tej asaj që mundemi, ndërsa juve ju kërkojmë atë që mundeni të ndihmoni.

Ju lutem miqve të mi në BE, ndihma që kërkojmë shkon përtej ndihmës së menjëhershme, apo financiare. Tërmet, apo jo tërmet, pavarësisht numrit të viktimave, ju lutemi të kuptoni sesa i rëndësishëm është për ne Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor, nën kryesinë e miqve tanë kroatë dhe çfarë ne shpresojmë do të sjellë dritën e gjelbër për të ecur më tej drejt rrugëtimit tonë të gjatë drejt Europës.

Ajo çfarë ndodhi në nëntor mund të ishte diçka që erdhi nga Zoti, ose natyra dhe ne jemi të pafuqishëm kundrejt saj. Natyrisht nuk kemi zgjidhje, përveçse ta pranojmë dhe të përpiqemi për më të mirën, që të shpëtojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur dhe për ta sjellë jetën në rrjedhën normale. Ndërkohë që tërmeti politik që ne vuajtëm një muaj më parë vinte nga njeriu, i shmangshëm.

Për familjet, miqtë e atyre 51 shpirtrave të humbur, tërmeti real në nëntor ishte gjëja më e keqe që ju ndodhi, por për vendin tonë, në tërësi, tërmeti politik në tetor u ndje si mallkimi i historisë që na godiste edhe njëherë. Nuk jam këtu për t’i drejtuar gishtin ndokujt. E di që procesi i zgjerimit është vetëm një prej çështjeve që ju keni në diskutim në familjen e BE-së. Natyrisht, i vështirë dhe nuk janë kohët më të lehta për të jetuar në union, por për ne që kemi bërë kaq shumë për të qenë gati për të ecur përpara në këto bisedime, mohimi i kësaj lëvizjeje ishte vërtet një goditje e madhe. Vërtetë u tronditëm, sikur na ishte marrë fryma. Ndjemë dhimbjen, poshtërimin. Ju lutem, kuptoni dhe vlerësoni thellësinë e këtyre ndjenjave.

Natyrisht, ne kemi bërë gjithçka që mundëm e gjithçka që ne na u kërkua dhe sërish përgjigja ishte jo. Ndaj, dy goditje të forta njëra pas tjetrës. Megjithatë, ende qëndrojmë e jemi plot shpresë që ne mund të bëjmë e mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, që u detyrohemi fëmijëve tanë. Jam i inkurajuar nga mënyra se si Komisioni na ka mbështetur në të dy tërmetet, qoftë fizikun, edhe politikun. Në fakt jam i inkurajuar qoftë nga metodologjia e re, propozimi që Franca ka paraqitur për t’u diskutuar dhe gjithashtu, edhe reagimin e Komisionit për të bërë më të mirën, bazuar në të, duke krijuar kushtet më të mira për të çliruar energjitë më të mira në Bruksel dhe në vend.

Në fund të 2019-ës, ndërkohë që viti solli dy ditë të këqija për vendin tim, le të shënojë kjo ditë, 2020-ën, si një vit rindërtimi, solidariteti e shprese për Shqipërinë. Shpresoj fort edhe për vetë BE-në, sepse besoj fort që interesi është i ndërsjellë, ashtu si dhe e ardhmja midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Nëse Robert Shuman kishte të drejtë dhe natyrisht kishte të drejtë, kur thoshte se “Europa nuk do të bëhej e gjitha njëherësh, apo në bazë të një plani të vetëm, por do të ndërtohet nëpërmjet arritjeve konkrete, të cilat, së pari, krijojnë një solidaritet “de facto””, atëherë kjo mbledhje është padyshim një nga ato arritje konkrete, të cila krijojnë një solidaritet “de facto”.

Më lini ta përmbyll këtë parantezë, duke lënë këtë shënim për të gjithë miqtë këtu, të një figure të shkëlqyer politike e humaniste franceze, diplomat i nivelit të lartë i Republikës Franceze dhe një themelues vizionar i të drejtave të njeriut. Emri i tij është Justin Godart; “Egoizmi individual, familjar, lokal e kombëtar është gjithmonë egoizëm që çon në sakrifikimin e të dobëtit në favor të të fortit. Në Shqipëri, për herë të parë ndjeva që nuk ishte thjesht individ, por njerëz të cilët nuk mund të braktiseshin në mënyrë të paturpshme”.

Më duhet ta precizoj që kjo thënie nuk është shkruar në tetor të vitit të kaluar, por 100 vjet më parë, në një libër të mrekullueshëm me titull ‘Shqipëria në vitin 1921”.

Të dashur e të çmuar miq që gjendeni këtu sot, të mëdhenj a të vegjël, të pasur a të varfër, afër a larg nesh, të gjithë jemi njerëz dhe ju nuk do të pendoheni asnjëherë që sot jeni miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ne mund të jemi të vegjël, por kemi zemër të madhe. Mund të jemi të varfër, por kemi karakter të pasur. Jetojmë në përputhje me parime që parashtrohen në paragrafin e parë të ligjit tonë zakonor: “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut.” Çdo herë, të gjithë ju jeni të mirëpritur të jeni miqtë tanë të nderit që prej tani  deri në fund të kohërave.

Faleminderit që keni ardhur!

Faleminderit që na dëgjoni!

Faleminderit për mbështetjen tuaj!

Faleminderit!

Zoti ju bekoftë ju dhe të gjitha vendet tuaja!

*Përkthim simultan

*** 

Faleminderit! 

*Fjala e mirënjohjes e Kryeministrit drejtuar Konferencës së Donatorëve në përfundim të saj:

Kjo është në fakt, ai momenti i vërtetë. Fakti që unë nuk kam një fjalim me vete tregon shumë për pritshmëritë e mia. Ndërkohë që po vinim këtu, po spekulonim natyrisht. Nevoja ishte kaq e madhe dhe po thonim, nëse arrijmë tek 40% i të gjithë shumës, mund të kthehemi në shtëpi pa ankth. Po të arrimë 50% të vlerës, mund të ndihemi se kemi pasur sukses e përtej 50% të shumës do të ketë qenë ndonjë magji.

Kjo është përtej imagjinatës më të shfrenuar.

Nuk di çfarë të them, por më lejoni që të jem mistik, se në ç’mënyrë tjetër mund të shpjegoj të gjithë këtë. Më lini të citoj diçka nga Bibla, Korinthët, ku thuhet: “Në një frymë u pagëzuam në një trup e të gjithë pimë nga e njëjta frymë e shpirt. Nëse një pjesëtar vuan, të gjithë vuajnë sëbashku. Nëse një pjesëtar nderohet, të gjithë gëzojnë sëbashku”.

Unë jam i nderuar!

Shpresoj fort që ju të gëzoni të gjithë sëbashku për mua e për Shqipërinë. E ndërsa citoj Biblën, e udhëheq një vend, i cili e ka vëllazërinë fetare, siç edhe Papa Françesku e ka pagëzuar, nuk mund të largohem pa e përmbyllur me Kuranin. Nuk gjej dot shembull më të bukur, sesa ky që ndodhi sot, për të përdorur këtë citim nga Kurani: “Njerëzimi është një komb i vetëm.”

Faleminderit shumë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.