Kreu Aktualitet Transformohen terrenet sportive të shkollës “Dora D’Istria”

Transformohen terrenet sportive të shkollës “Dora D’Istria”

380
0

Krahas shtimit dhe përmirësimit të terreneve sportive, në kryeqytet po i kushtohet një vëmendje e madhe promovimit të sportit tek të rinjtë. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, organizuan “Kids Athletics”, në terrenet e reja sportive të shkollës “Dora D’Istria”, ku u realizua një orë mësimi mbi metodikën e promovimit të sportit të atletikës nëpër shkolla.

Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për nxënësit pjesëmarrës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se synimi i përmirësimit të infrastrukturës sportive në shkollat e kryeqytetit është jo vetëm përgatitja e sportistëve të ardhshëm, por që ata të jenë edhe qytetarë të mirë. “Jam shumë i lumtur që arritëm ta transformonim këtë hapësirë, por a mjafton që shkolla të qëndrojë e hapur vetëm paradite? Jo! Një nga arsyet pse jemi këtu sot, bashkë me miqtë tanë sportistë, është se jemi po aq të interesuar që ju të jeni të suksesshëm si brenda në klasa, ashtu edhe jashtë saj”, tha ai.

Veliaj vlerësoi se pavarësisht rezultateve sportive, aktivitete të tilla formësojnë të rinjtë e ardhshëm për të qenë kampion edhe në jetë. “Në qoftë se jemi qytetarë kampionë, në qoftë se jemi nxënës kampionë, në qoftë se jemi fëmijë kampionë të një familjeje kampione, them se e kemi thyer rekordin, pavarësisht se kush do vazhdojë të bëhet sportist elitar. Sporti na mëson disa gjëra shumë të rëndësishme: Së pari, rëndësi ka të marrim pjesë, pra të pranoni të hyni në garë. E dyta, ekipi që do të fitojë duhet të jetë i përulur, nuk ka nevojë të jeni arrogant, sikur keni çliruar Tiranën; kurse ekipi që humb nuk duhet ta trajtojë sikur është ndonjë tragjedi e madhe”, shtoi kryebashkiaku.

Nisma e Bashkisë së Tiranës për të hapur 62 palestrat e shkollave, si hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë mund të merren me sport pasditeve dhe në fundjavë, po rezulton e suksesshme. Veliaj u bëri thirrje nxënësve të kryeqytetit që të ndjekin klasat sportive në të 62 shkollat e qytetit. “Gjëja më e rëndësishme në një qytet janë njerëzit. Ka qytete edhe pa shkolla të bukura, ka qytete edhe pa bulevard, po s’ka qytete pa njerëz. Njerëzit janë gjëja më e rëndësishme, çdo gjë tjetër është në funksion të tyre. Duhet t’u thoni shokëve tuaj dhe atyre në shkollat e tjera që të regjistrohen në kurset sportive pas mësimit, në 62 shkollat ku i kemi hapur 24 orë”, theksoi Veliaj.

Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, evente të tilla janë tepër të rëndësishme për masivimin e atletikës dhe për ta bërë këtë sport akoma më të dashur për të rinjtë. Kampioni i Evropës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj vlerësoi Bashkinë e Tiranës për infrastrukturën dhe kushtet moderne që ka krijuar për brezin e ri të sportistëve elitarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.