Kreu Aktualitet Turi i dëgjesave për buxhetin 2019 ndalet në Njësinë 1

Turi i dëgjesave për buxhetin 2019 ndalet në Njësinë 1

707
0

Nga shkolla e rikonstruktuar “1 Maji”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e Njësinë 1 për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punëve të kryera në këto 3 vjet.

Në dëgjesën me banorët e zonës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi mbështetje masive për PS në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ritmi i punëve publike të mos ndalet. “Nëse doni të më jepni një dorë, që bashkë me këtë skuadër ta çojmë edhe më përpara Tiranën, na duhen votat masive për Partinë Socialiste në Këshillin Bashkiak. Kjo është e vetmja mënyrë për ta çuar edhe më lart vizionin që kemi për Tiranën. Kështu sigurohemi që punët e nisura mbarojnë me sukses dhe më pas të fillojmë me punët e tjera”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se në ndryshim nga këshilltarët e majtë që nuk mungojnë në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak, për të votuar nisma në dobi të komunitetit, kolegët e djathtë paraqiten vetëm për të firmosur dhe për të marrë pagesat e honorareve. “I shoh vetëm tre minuta, vijnë në Këshillin Bashkiak, firmosin për të marrë honorarin dhe më pas zhduken, nuk rrinë në mbledhje as për vendimin për ndihmën ekonomike, as për vendimin për aftësinë e kufizuar, as për rimbursimin e energjisë, as për banesat sociale, as për bonusin e qirasë”, theksoi ai.

Veliaj përshëndeti vendimet e marra nga mazhoranca në parlament për të hequr lojërat e fatit, si dhe për të ndaluar shitjen e pijeve energjike për moshat nën 18-vjeç. “Kush është sot socialist duhet të ndihet mirë, jo vetëm për këtë, por për të gjitha punët dhe vendimet që janë marrë, duke filluar nga vendimet për të mbyllur bastet, për të hapur Teatrin e ri apo për të ndaluar pijet energjike për fëmijët”, tha Veliaj. Kryebashkiaku thesoi se falë shumicës së majtë në Parlament, Shqipëria po merr vendime që deri më parë dukeshin të pamundura për t’u realizuar. “Jam shumë i lumtur, që falë kësaj shumice që kemi sot në Parlament, kemi mundësi të marrim vendime që dje dukeshin të pamundura”, u shpreh ai.

Duke i cilësuar tre vite të suksesshme në krye të punëve publike në kryeqytet, Veliaj preku edhe çështjen e ndërtimit të godinës së re të teatrit. “Po u bë teatri, ata e dinë se nuk fitojnë më zgjedhje në Tiranë. Ju mendoni se ata që erdhën me vezë kanë shkuar ndonjëherë në teatër? Po u bë punë në Tiranë dhe në Shqipëri, partia e tyre nuk vjen më kurrë në pushtet! Do rrijë Tirana peng i ca shpifësve?! E keni parë, kanë filluar t’i humbasin të gjitha gjyqet. E duam kryetarin e Bashkisë të punojë më shumë? Eja i japim votat që i duhen në Këshill, ashtu siç i dhamë votat e Tiranës. Ata nuk shkojnë as në Parlament! Si e merrin rrogën 1 milionë e 400 mijë lekë dhe nuk shkojnë në Parlament?!”, deklaroi ai.

Në fjalën e mbajtur në dëgjesën me banorët e Njësisë 1 Veliaj renditi edhe një sërë investimesh të cilat prekin në mënyrë kapilare çdo lagje. “Kemi ndërhyrë në katër blloqe, një prej tyre ishte ndërtimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Bashkim Kodra”, “Shkretëve”, “Shpëtim Zaimi”, “Spahiu” dhe “Ali Shefqeti”, përballë shkollës së mesme “Abdulla Keta. Rikualifikuam dy blloqe në rrugën “Dhimitër Kamarda”, te blloku i Poligrafikut. I pari që lidhet “Dhimitër Kamarda”, “Kristaq Çipo” dhe “Pasho Hysa”; tjetri te pallatet e vjetra, rikualifikimi i “Dhimitër Kamarda”, “Bajo Topulli” dhe “Hysen Loci” dhe pastaj blloku “Fransua Pukvil”. Ndërkohë, dy rrugë që kanë qenë gangrenë, është kënaqësi tani të bësh rrugën “Ali Demi’, “Ali Shefqeti” deri në Shkozë. E njëjta gjë për “Ali Shefqetin”, për Rr. “Ali Demi”, që vazhdon lart deri në Shkozë”, u shpreh ai.

Por, puna nuk do të ndalet këtu, Bashkia e Tiranës do të vijojë investimet gjer në nivel kapilar në çdo rrugicë dhe lagje, duke sjellë një impakt pozitiv të drejpërdrejtë në jetën e qytetarëve. “Do të vazhdojmë rikualifikimin e bllokut “Idriz Dollaku”, po ashtu me rikonstruksionin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Ali Shefqeti”, “Ramazan Shushku” në jug të Lumit të Lanës; me rikonstruksionin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Arben Lami”, “Ali Shefqeti”, – “Aleksandër Konda” dhe rruga që lidh “Aleksandër Kondën” me “Fehmi Ibrahimin”, ana tjetër e “Ali Shefqetit”; rikonstruksionin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga Rr. “Nikolla Mejkashi”, rruga “Bajazit Shehu”, rruga “Ali Hafiz Ulqinaku” dhe rruga “Shyqyri Basha”, një tjetër bllok i madh”, deklaroi Veliaj.

Një punë e mirë është bërë edhe në drejtim të rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, i cili ishte amortizuar ndër vite si pasojë e mosndërhyrjes ose nuk ekzistonte në lagjet e reja të kësaj njësie. “Jam shumë i lumtur që me ujësjellësin kemi pasur disa ndërhyrje që ishin lënë pasdore prej vitesh. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në zonën e ish-Uzinës së Autraktorëve, furnizimi me ujë dhe rrjeti i kanalizimit për vendbanimin e komunitetit rom; ndërtimi i rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimit të godinave të banimit në territorin e rrugës “Aleksandër Marteli” ose që njihet si zona e ish-Reparti Ushtarak. Ndërkohë, çfarë kemi në proces dhe që do të vazhdojmë t’i financojmë edhe vitin tjetër është ndërtimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë zonën e Lanabregasit, pra zona sapo lë Dajtin dhe fillon Njësia 1”, nënvizoi Veliaj.

Kujdes të veçantë Bashkia i ka kushtuar edhe përmirësimit të kushteve në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Vetëm në këtë njësi gjatë këtyre tre viteve janë rikonstruktuar katër çerdhe, tre kopshte dhe dy shkolla. “Fillimisht kemi filluar me çerdhet e kopshtet, kemi rikonstruktuar kopshtin Nr. 24, tek rruga “Asdreni”, ish-Ministria e Shëndetësisë; kopshtin Nr. 56, tek “Millosh Shutku” përballë Poligrafikut; kemi rikonstruktuar çerdhen dhe kopshtin e integruar në Shkozë, tek banesat sociale; kemi rikonstruktuar çerdhen Nr.14, tek rruga ‘Myslym Lela”; kemi rikonstruktuar çerdhen Nr.50 tek “Millosh Shutku”, prapë përballë Poligrafikut; çerdhja Nr.60 në Shkozë tek “Ali Shefqeti”, tek Ambulanca në Shkozë dhe ndërhyrje tek çerdhja Nr.51 te “Azdreni” prapë tek ish – Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj u shpreh se për të përmirësuar raportin e numrit të fëmijëve me edukatoret, do të shtohen edhe 190 punonjës në kopshte. “Do të ndërtojmë kopshtin e ri “Ylber” në Shkozë. Unë besoj që çdo fëmijë në Tiranë nuk duhet të privohet nga rritja me kujdes dhe me dashuri në institucionet publike. Fakti që sot kemi deri në dhjetë kërkesa për një vend është kompliment. Ne do të shtojmë 190 edukatore kopshtesh, kështu që do të jetë një mënyrë se si ta përmirësojmë raportin e fëmijëve me edukatore”, tha ai.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës arsimore, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar disa kënde lojrash për më të vegjlit, çka ka rezultuar një sukses i plotë. “Një ndër arsyet pse i fusim këto këndet e lojërave tek llogaridhënia është se më kujtohet ajo koha kur filluam këndin e parë të lojërave. Nuk e mendoja kurrë, as në ëndrrën time më të keqe, që Shqipëria do kishte ndonjëherë një President që do të protestonte kundër këndit të lodrave. Pra, mendoja se në Shqipëri mund të ndodhë çdo gjë dhe çfarë s’na kanë parë sytë, por që do të çohej një ditë Presidenti i Republikës dhe do protestonte kundër lodrave ishte përtej imagjinatës sime”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Një nga zonat që ka pësuar një transformim rrënjësor në Njësinë 1 në kryeqytet është edhe ajo në Shkozë. Të bllokuara prej katër vitesh, falë votës së këshilltarëve të majtë është bërë i mundur edhe dhënia e banesave sociale për komunitetin rom, i cili ishte lënë në harresë. Edhe dy deputetet Blerina Gjylameti dhe Elona Gjebrea vlerësuan punën shumë të mirë të bërë në këto tre vite nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që u bënë thirrje banorëve të kësaj njësie për mbështetje maksimale për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme vendore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.