Kreu Aktualitet Vaqarr, nis puna për qendrën e re të banimit për familjet e...

Vaqarr, nis puna për qendrën e re të banimit për familjet e prekura nga tërmeti

266
0

Ish-poligoni i vjetër i Vaqarrit do të transformohet në një nga qendrat e para të banimit ku do të vendosen banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Puna për ndërtimin e kësaj zone të re banimi ka nisur duke krijuar kështu një potencial të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që humbën shtëpitë, por edhe një shembull të ri të jetës komunitare në fshat, duke realizuar grupime shtëpish të reja rreth qendrës së zonës rurale përkatëse.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot hapësirën ku do të ngrihet kjo lagje e re, e cila ka një sipërfaqe mbi 4 hektarë dhe që është në pronësi të shtetit.

“Për të gjithë bëhet më mirë. Në këtë rast është tokë shtet që ne do ta vëmë në dispozicion të banorëve. Për fëmijët bëhet mirë, sepse kanë afër shkollën, çerdhen, kopshtin. Për më të moshuarit është shumë mirë sepse kanë afër qendrën shëndetësore. Në këtë mënyrë, fitojmë një lloj cilësie dhe shtëpitë do jenë shumë më të mira se ato që ishin. Po duhet edhe pak punë nga ana juaj për t’jua shpjeguar, se ndryshe është një mundësi e madhe e humbur dhe një mbetje në vend numëro. Nga kjo duhet të dalim te gjithë më mirë, familje, komuniteti”, tha Kryeministri Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës pohoi se zona ofron akses të plotë të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore për banorët.

“Praktikisht, ne krijojmë një stil amerikan, ku ka një hapësirë të gjelbër në mes, një qendër komunitare për aktivitete të ndryshme për ndonjë çerdhe, kopsht, mensë apo diçka e tillë, dhe të çiftuara dyshe-dyshe arrijmë të akomodojmë 35 familje nga 43 të prekura në gjithë Vaqarrin administrativ. Pra bëhet fjalë për një banesë monofamiljare, që akomodon familjen bazë, ka një verandë të vogël dhe një pjesë bahçe mbrapa”, tha Veliaj.

Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe në disa fshatra të tjera të Tiranës, si në Baldushk, Mustafakoç, apo Pezë, ku gjithashtu banorët do strehohen në shtëpi të reja, duke patur edhe ekonominë e tyre afër, si dhe një qendër komunitare, kryesisht për kujdes ndaj të moshuarve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.