Kreu Aktualitet Veliaj shpreh mbështetjen për forcat shqiptare për Komunën e Tuzit

Veliaj shpreh mbështetjen për forcat shqiptare për Komunën e Tuzit

88
0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur mbështetjen për forcat shqiptare në Tuz të Malit të Zi që do të garojnë me kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore nën koalicionin “Malësia na bashkon”. Në takimin me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Tuz, Nik Gjeloshaj, kryetar i Partisë “Alternativa Shqiptare”, Nikollë Camaj, kryetar i Partisë “Lidhja Demokratike e Shqiptarëve”, Fadil Kajoshaj, kryetar i Partisë “Unioni Demokratik Shqiptar”, kryebashkiaku Veliaj theksoi se Nik Gjeloshaj është njeriu i duhur për të sjellë ndryshimin e shumëpritur nga shqiptarët, por jo vetëm për Tuzin.

“Jam shumë i lumtur që prita në Bashkinë e Tiranës, në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, një mik të vjetër me të cilin jemi rritur bashkë, Nik Gjeloshajn, dhe kolegët që janë bashkuar në një forum shqiptar si Unioni i gjithë shqiptarëve të Tuzit, për të fituar komunën e Tuizit dhe për të sjellë aty një transformim për të cilin ky qytet ka dëshpërimisht nevojë. Mbaj mend se kur kemi qenë aktivistë të shoqërisë civile, kemi kërkuar që Tuzi të ketë statusin e komunës më vete, për të treguar edhe si model se çfarë mund të bëjnë shqiptarët; tani jo vetëm shqiptarët veç e veç, por edhe shqiptarët e bashkuar”, tha Veliaj, ndërsa theksoi se bashkimi i tre partive shqiptare është një model shumë i mirë.

“Vërtet bashkimi e bën fuqinë, vërtet bashkimi sjell fitoren dhe nesër vërtet bashkimi e bën punën, kështu që së pari një përgëzim; së dyti, forca në këtë sprint! Është një sprint për qytetarët shqiptarë të Tuzit, por edhe të tjerët, edhe të etnive të tjera, qofshin malazezë, boshnjakë, sepse do të shohin tek djemtë e rinj dhe tek një forcë e re realizimin e aspiratave të tyre”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi rëndësinë që ka pjesëmarrja në votime për Bashkinë e Tuzit, që kanë një rëndësi jetike për të transformuar jetën e qytetit. “Është jo vetëm një sprint për ata që e organizojnë fushatën, por edhe për ata që gjithë këtë dëshirë për ndryshim duhet ta transformojnë në kutitë e votimit, ditën e votimit, dhe mbi të gjitha, kjo është edhe një ftesë: shprehja “shqiptar, mos rri, po duku” nuk vlen vetëm për luftë, vlen edhe për paqe, edhe për punë, edhe për votimet transformuese të Tuzit. Pra, shqiptar, mos rri, po duku”, tha ai.

Më tej Veliaj shtoi: “Ka shumë njerëz që thonë, unë s’mund ta transformoj botën. Dakord, por një votë apo një mendim e transformon një familje, pastaj një familje e transformon një mëhallë, po një mëhallë e transformon një lagje, po një lagje më pas e transformon një qytet; ndaj kushdo që mendon se një votë nuk ka rëndësi, sidomos në vende me popullsi modeste, çdo votë ka rëndësi. Ndihmoni mikun, miqtë tanë të këtij koalicioni të fuqishëm të forumit shqiptar dhe Bashkia e Tiranës do të jetë e para në gatishmëri, edhe për të ndarë njohuri, edhe për të ndarë eksperienca pune, edhe shembuj të mirë që ia vlen t’i imitosh e t’i përkthesh në realitetin lokal të Tuzit”, deklaroi Veliaj.

Kandidati i përbashkët i partive shqiptare në Tuz, Nik Gjeloshaj, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e projekteve për të sjellë ndryshimin.

“Është gjithmonë kënaqësi të bisedosh për të ardhmen e vendeve tona kudo që jemi, Tuzi me marrë eksperiencë prej qyteteve më të mëdha. Me siguri që fjalët tuaja inkurajuese për ne, për qytetarët tanë, janë edhe një shtytje më e madhe që të vazhdojmë që nga 4 Marsi, që këtë  fitore që kemi këtë të dielë ta kthejmë që qytetarët të jenë të kënaqur dhe të jenë të sigurt që kanë marrë një vendim të mirë për zhvillimin e vendit. Faleminderit shumë, si çdo herë i kemi pasur hapur dyert e Tiranës, mbas 4 Marsit do të jetë edhe më bashkëpunues që të zhvillojmë Tuzin me eksperienca prej Tiranës, edhe jemi të sigurt që gjithmonë kemi patur gatishmëri tek ju”, deklaroi Nik Gjeloshaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here