Kreu Aktualitet Vijon puna në aksin strategjik Kardhiq-Delvinë

Vijon puna në aksin strategjik Kardhiq-Delvinë

375
0

Rruga Kardhiq-Delvinë, një aks strategjik për ekonominë dhe turizmin e të gjithë zonës, ka hyrë në një fazë intensive, ku deri tani janë realizuar më shumë se 50% e punimeve. Rruga eviton Qafën e vështirë dhe tërësisht të amortizuar të Muzinës dhe shkurton me një orë lidhjen e Tiranës me Sarandën.

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në lotin e katërt të rrugës. Drejtorja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, u shpreh se ecuria e zbatimit në terren të projektit është e kënaqshme. “Ky është loti i katërt i punimeve të segmentit Delvinë–Kardhiq. Fillon në kthesën e Fushëbardhës dhe mbaron deri në qafën e Skërficës. Janë 6.1 kilometra, të cilat kanë filluar të ndërtohen dhe në këtë moment kemi të realizuara mbi 50% të punimeve të parashikuara. Ndërkohë që nga ana teknike këtu janë realizuar shumë punë të tjera, mure mbajtëse, disa tombino dhe jemi duke punuar për dy vijadukte, dy ura.”

Rruga Kardhiq-Delvinë do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në turizëm. “Është një nga akset më të rëndësishme, sepse ndërtimi i të gjithë segmentit nga Kardhiqi në Delvinë realizon jo vetëm ndërtimin e një rruge të re, por edhe prioritetin që ka qeveria në nxitjen e investimeve në turizëm. Kjo rrugë do ta lehtësojë në mënyrë të jashtëzakonshme turizmin, duke lidhur në një zonë të vetme Gjirokastrën, Sarandën, por edhe Tepelenën për të cilën ne jemi duke punuar në by-pass-in e Tepelenës. Jemi munduar që të mbajnë ritmin e punës, të garantojmë cilësinë, në mënyrë që çdo para e taksapaguesve të shkojë në vepra cilësore publike dhe mbi të gjitha të mund ta realizojmë në kohë, siç është parashikuar në muajin nëntor të vitit 2020,” u shpreh Qato.

Drejtuesi i punimeve theksoi se me gjithë problematikat e muajve të vështirë të dimrit, projekti po ecën sipas parashikimeve. “Ecuria e punimeve është e kënaqshme. Për tre muaj kemi realizuar mbi 50% të trasesë. Kemi shkuar në kilometrin e katërt, nga 6 që është. Na ka penguar pak muaji i borës, por rezultati është shumë i kënaqshëm. Kemi dy urat më të rëndësishme, në fillim të kilometrit të parë. Është ura me 3 hapësira drite me nga 20 metra dhe ura me 5 hapësira drite nga 30 metra që normalisht kanë punë. Për trupin e rrugës puna flet vetë. Për sa i përket masivëve shkëmbore anash rrugës, projekti parashikon veshjen me rrjetë.”

Kryeministri kërkoi që, krahas plotësimit të standardeve të sigurisë rrugore, të ecet edhe me një projekt të posaçëm për rehabilitimin dhe gjelbërimin e pjesëve anësore në shpat mali, apo kodër të prekura nga ndërtimi i rrugës. “Kjo është nga pjesët më problematike që kemi trashëguar ne edhe si kulturë pune edhe si inerci që këto ngrëniet të hyjnë në fazë rehabilitimi me ato sistemet që nxjerrin bimësi. Duhet bërë një projekt siç e ka gjithë bota normale, që aty ku gërryhet mali, ose kodra për arsye të veprës, të krijohen kushte për rehabilitim. Është tamam si një plagë që çan dhe e lë në qiell të hapur. Volumi i punës është shumë i kënaqshëm. Sfida jonë është që jo vetëm të bëjmë rrugë ku të kalojnë njerëzit, por edhe rrugë cilësore, të qëndrueshme dhe nga pikëpamja mjedisore të pakontestueshme. Kështu që është shumë mirë, por duhet të bëhen të gjitha këto që të kurohet çdo lloj detaji që të jetë rrugë model.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.