Kreu Aktualitet Viti i ri shkollor, me më shumë shkolla të rindërtuara nga e...

Viti i ri shkollor, me më shumë shkolla të rindërtuara nga e para

93
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shkollën e rindërtuar nga themelet “Servete Maçi” në Tiranë, në nisjen e vitit të ri shkollor:  

Përshëndetje të gjithëve.

Së pari, vërtetë meritojnë një falënderim të veçantë prindërit që nuk e pranuan inercinë e një vendimmarrjeje tërësisht të gabuar, për ta transformuar territorin e shkollës në një territor ndërtimi për pallat dhe falë këtyre, shkolla si pasuri e përbashkët në terrenin e saj i mbijetoi lakmisë. E ja ku jemi sot!

Është një transformim i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që shumica as nuk e mendonin se do të ndodhte. Përpara se të vinim këtu takuam disa nga fëmijët dhe ata e kishin  kaluar eksperiencën me shkollën e mëparshme dhe sot, me këtë shkollë të re ndiheshin mrekullisht mirë, falë një projekti të bërë me shumë dashuri dhe me shumë mençuri dhe një realizmi që me thënë të drejtën nuk ka të sharë.

Sigurisht i takon të gjithëve trupës së mësuesve në radhe të parë, por sëbashku me ta, edhe të prindërve, edhe të fëmijëve, që të organizohen për ta mirëmbajtur sepse është një strukturë jo e lehtë për t’u mirëmbajtur. Ashtu sikundër i takon këtij komuniteti që ta shfrytëzojë edhe më tej orëve të mësimit, pasi këtu ka një palestër fantastike, një mjedis të brendshëm shumë të këndshëm, një auditor që së shpejti do të jetë gati, kur të jetë i pajisur edhe me materialet e fundit, një palestër vërtetë të bukur. Të gjitha këto janë elementë të mjaftueshëm për të ndërtuar një qendër komunitare, e cila funksionon jo vetëm për nxënësit që vijnë dhe e frekuentojnë çdo ditë, por edhe për të rejat dhe të rinjtë e komunitetit.

Është më rëndësi të thuhet sot, në këtë ditë të parë të vitit të ri shkollor, se përtej infrastrukturës që po transformohet në mënyrë rrënjësore, ne numërojmë afro 200 shkolla në gjithë Shqipërinë, që janë rindërtuar me standarde optimale, apo ndërtuar nga e para, të cilave do t’u shtohen të tjera në vijim. Kam parasysh këtu grupin e 17 shkollave të reja të Bashkisë së Tiranës, që do të realizohen përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga qeveria dhe të çuar përpara me një ambicie të re, për të pasur shkolla që, duke qenë se ndërtohen nga themelet dhe nuk kushtëzojnë funksionalitetin me ngrehinën e tyre paraardhëse, të jenë një model i ri i shkollës së kësaj kohe të re që jetojmë.

Ama kur infrastruktura është aty dhe kur kushtet dhe logjistika janë aty, ajo çka ende më shumë rëndësi është përmbajta e procesit, përmbajta e marrëdhënieve mes nxënësve dhe shkollës, gjë që sigurisht garantohet nga mësues, prindër dhe drejtuesit. Në këtë aspekt besoj që nuk është aspak e ekzagjeruar të themi që është bërë një progres komplementar në raport me infrastrukturën. Sot kemi një sistem mësimor goxha më cilësor, goxha më miqësor me nxënësit, në aspektin e ngarkesës, në aspektin e organizmit të brendshëm dhe mbi të gjitha, sot kemi një trupë mësimore të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, nga kthetrat e interesave politike, apo dhe nga imponimet e deridjeshme të korrupsionit dhe të ryshfetit.

Sigurisht që jo gjithçka është flori. Ka edhe brenda gjithë këtij procesi, elementë ende për t’u adresuar, ka raste që e gjitha shëmtohet nga shkelja e rregullave, nga tejkalimi i kornizës së funksionimit administrativ, nga marrëdhënie të paligjshme individësh, por mund ta themi me plot gojën që, nëse shohim sistemin e funksionimit të sotëm të shkollës dhe statusin e sotëm të mësuesit, as nuk  mund të bëjmë krahasim me situatën që kishim vetëm pak vite më parë. Ashtu sikundër, nëse shikojmë se ku duam të shkojmë nesër, ajo që mbetet për t’u bërë është ende shumë, por jam i bindur që sëbashku, falë eksperiencës së krijuar, falë edhe angazhimit të një pjese aktive të trupës mësimore, falë edhe një numri të caktuar drejtuesish, që vërtetë kanë treguar aftësi në administrimin e gjithë aspekteve të kësaj reforme që po bëjmë, ne do t’ia dalim me sukses.

Më vjen shumë mirë që drejtoresha është kujdesur që të ftojë mësueset e mësuesit e një gjenerate më parë, që sot janë pensionistë të nderuar, por që i japin një nur të veçantë këtij mjedisi, mjafton të shikoni zonjën me kapele diku aty dhe duket sikur të gjithë ne kemi nevojë të vazhdojmë të mësojmë sesi ta kultivojmë shijen e të paraqiturit tonë në një mjedis.

E nga ana tjetër është padiskutim një element më shumë force i kësaj shkolle, elementi i muzikës, i të mësuarit të muzikës, sepse me këtë element shkolla mund të hapet më shumë edhe për komunitetin dhe mund të prodhojë edhe aktivitete që të konsumohen nga komuniteti.

Dua vetëm të kujtoj se sot janë 455 mijë nxënës dhe nxënëse të regjistruar, që kanë filluar vitin e ri shkollor dhe më vjen shumë mirë që prej tyre janë 225 mijë që i kanë marrë librat falas. Janë nxënësit dhe nxënëset e klasave nga e para tek e pesta, që të gjithë pa përjashtim, si dhe të gjithë ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, apo me nevoja të veçanta. Vitin e ardhshëm do të përfshijmë dhe klasën e 6-të dhe të 7-të dhe siç jemi zotuar, në 2021 do të kemi që të gjithë papërjashtim, nga klasa e 1-rë në të 9-n, që do të marrin libra falas.

Nga ana tjetër dua ta them këtë sot, këtu, sepse besoj që drejtoreshat e kanë dëgjuar shumë shpesh, mësueset patjetër që e kanë dëgjuar, por edhe unë e kam dëgjuar ndër shumë e shumë gjëra të tjera që dëgjoj përditë, ankesën e disa prindërve, apo të disa spektatorëve të këtyre proceseve, lidhur me nevojën për t’i ruajtur librat dhe për t’i përcjellë tek të tjerët që vijnë pas. Nuk është një çështje thjesht materiale, është patjetër dhe materiale, por është mbi të gjitha, një çështje edukimi me dashuri dhe një respekt të veçantë për librin, që qysh të  vegjël e kemi mësuar që është “miku më i mirë” dhe si miku më i mirë duhet trajtuar me respektin dhe kujdesin maksimal. E patjetër që, nëse do të ishte një çështje thjesht materiale, vende shumë më të zhvilluara se ne, që nga Suedia deri tek Franca, Gjermania, Kanadaja, për të mos i numëruar të gjithë, nuk do të kishin këtë praktikë të kushtëzuar, që, nëse do të marrësh libra falas vitin e ardhshëm, duhet që librat që ke përdorur t’i kalosh tek ai që vjen pas të mirëmbajtur dhe për ti mundësuar edhe tjetrit që t’i shfrytëzojë.

Besoj se edhe rezultati i këtij viti ka qenë shumë më pozitiv, sesa në fakt e kishim parashikuar. Librat e kthyer në gjendje shumë të mirë janë shumë më tepër sesa ne mendonim dhe u takon mësuesve dhe prindërve të kujdesen edhe për këtë aspekt.

Me shumë respekt për trupën mësimore, për të gjithë ju që jeni këtu, për të gjithë prindërit që sot kanë çuar fëmijët e tyre në shkollë në ditën e parë dhe për të gjithë ata që mundohen shumë për t’i krijuar fëmijëve kushte optimale, po e mbyll vetëm me këtë shembull; Ne, ndër të tjera, çdo vit marrim një numër nxënësish që mbarojnë shkollën e mesme dhe i çojmë në Universitetin e Teknologjisë në Stamboll, me të cilin kemi një marrëveshje ku gjithçka mbulohet nga universiteti. Sipas vitit zgjedhim 10 deri në 15 nxënës, pa ditur fare se kush janë dhe nga vijnë, por thjesht vetëm nga rezultatet. Në sezonin që mbaroi – ai është një nga universitetet më të mirë të botës, – studenti më i mirë që u celebrua nga i gjithë universiteti ishte një vajzë shqiptare nga ky grup.

Ajo që është më e rëndësishmja të thuhet, është se shumica e atyre nxënësve, që ne i zgjedhim thjesht e vetëm duke u nisur nga pasqyra e rezultateve, vijnë nga familje të varfra. Disa prej tyre nga familje me ndihmë ekonomike, që tregon shumë, siç tregon shumë fakti që në shumë shtëpi nga ato të paimagjinueshmet që unë kam vizituar, ku ka patur raste që jo metaforikisht, por realisht mungonte çatia dhe uji futej brenda kur binte shi, fëmijë që mësonin me çadër brenda në shtëpi ishin me të gjitha dhjeta.

E nga ata fëmijë, pjesa më e madhe janë më të mirët e shkollës. Kjo flet jashtëzakonisht shumë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.