Kreu Aktualitet Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore

Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore

686
0

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim të zhvilluar online Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar mbi ecurinë e procesit që do të bëjë të mundur votën e emigrantëve në Reformën Zgjedhore, si një shprehje e vullnetit politik dhe angazhimit programor të mazhorancës qeverisëse.

“Së pari, ky është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh. Së dyti, ne kemi punuar në funksion të këtij angazhimi paralelisht me procesin politik, i cili, për shumë arsye është një proces shumë i vonuar për reformën zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme dhe së treti, për të nënvizuar që ne as na ka munguar dhe as na mungon vullneti politik për ta realizur këtë objektiv. Është një objektiv që për ne ka një rëndësi të vecantë dhe jo një objektiv ndër shumë të tjerë, por një prej objektivave strategjikë që lidhen me mjedisin dhe me kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.

Por sipas tij, për të realizuar këtë duhet një proces gjithëpërfshirës. “Ne jemi në një proces të një reforme zgjedhore që është një proces i pandodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë, por jemi tre palë dhe në njëfarë mënyre skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare: shumica parlamentar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, një opozitë jashtë parlamentit dhe një opozitë brenda parlamentit. E theksoj këtë, sepse sigurisht nga pikëpamja aritmetike Kodi dhe Reforma Zgjedhore në tërësi kërkojnë një shumicë të cilësuar që ne nuk e disponojmë sot në Kuvendin e Shqipërisë, por nga pikëpamja e traditës, po ashtu, ne duam të respektojmë një vijimësi të një procesi gjithëpërfshirës. Sigurisht që procesi gjithëpërfshirës në kontekstin ku jemi nënkupton një mirëkuptim mes 3 palësh, pra, nga ana jonë si shumicë me dy palë të tjera, me dy pole politike, që, pavarësisht se janë produkt i të njëjtit burim përzgjedhjeje sot janë në divergjencë ekstreme njëri me tjetrin. Natyrisht kur vjen puna te vota e emirantëve nuk ka ndonjë divergjencë të shfaqur konkretisht, por në të njëjtën kohë, ne s’kemi ndonjë dakordësi në momentet që flasim,” deklaroi Kryeministri Rama.

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, njëkohësisht anëtar i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, u shpreh se legjislacioni dhe infrastruktura për të mundësuar votimin e emigratëve në zgjedhje tashmë janë gati. “Nisur edhe nga legjislacioni aktual, që parashikon që votimi i emigrantëve do të kryhet vetëm në një regjistër paraprak funksional ku emigrantët të kenë dhënë adresat e tyre për arsye që ju e dini shumë mirë, që lista e zgjedhësve në Shqipëri gjenerohet nga Regjistri i Gjendjes Civile dhe për këtë arsye, qeveria miratoi një ligj, më vonë u bënë edhe apikacionet e nevojshme online dhe tashmë infrastruktura është gati. Vendosëm që në Kodin Zgjedhor, procedurat e detajuara të votimit me postë, ose elektronikë t’ia delegojmë KQZ-së,” shpjegoi Gjiknuri.

Ndërsa Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën, tha se ky është momenti më i rëndësishëm i një reforme strukturore në Kodin Zgjedhor. “Mazhoranca ka vullnetin e plotë dhe besoj se kjo do kthehet në fakt, që në zgjedhjet e ardhshme të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. E drejta kushtetuese e tyre është e pakontestueshme. Ajo nuk ka pse të konsiderohet një problem që duhet diskutuar për një kompromis. Për më tepër, edhe opozita jashtë parlamentit dhe ajo që është në parlament është shprehur për të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”.

Ndërkohë, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës u shprehën se vota e tyre në zgjedhjet në Shqipëri është një ëndërr 30-vjeçare. “Në radhë të parë, unë e konsideroj shumë të rëndësishme punën e bërë deri tani dhe nëse, siç e theksuat edhe ju, do të realizohet, kjo është një ëndërr 30-vjeçare e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve. Përgëzoj punën dhe angazhimin e forcave politike për realizimin e projektit,” u shpreh Sokrat Sinaj, përfaqësues i diasporës në Zvicër.

Ndërsa Lazim Destani, anëtar i Këshillit të Diasporës në Gjermani tha se kjo është një nxitje edhe më e madhe për angazhim të diasporës në Shqipëri. “Shqipërinë e goditën dy sulme të rënda, tërmeti, po ashtu dhe koronavirusi. Ne besojmë shumë se do aktivizohemi edhe më shumë që të zhvillojmë ekonominë, të bëhen investime. Për këtë arsye, e drejta e votës së diasporës do ishte mëse e domosdoshme, pasi do e ndjenim veten të barabartë,” u shpreh ai.

Kryeministri nga ana tjetër tha se mazhoranca qeverisëse do bëjë gjithcka për konensusin e opozitës në këtë drejtim. “Kemi një marrëveshje, e cila në pikëpamje të reformës nuk sjell asgjë të re, përkundrazi, është një hap mbrapa në rast se e konsiderojmë kohën në funksion të të ardhmes, por është një marrëveshje pozitive, sepse ka krijuar kushtet e përfshirjes dhe të dakordësisë së opozitës jashtëparlamentare. Sot, ose nesër hyn në fuqi nisma e opozitës parlamentare, ku përfshihet konkretisht kërkesa për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve, si dhe është koha për të finalizuar edhe këtë proces që lidhet me votën e emigantëve, ku ne kemi qenë të palëkundur nga fillimi në fund. Ne nuk do presim pafund që të kemi konsensus, po e mira është që të kemi konsensus,” deklaroi ai.

Ai ftoi përfaqësuesit e diasporës që të monitorojnë procesin e votimit të emigrantëve në zgjedhje. “Mendoj që ndihma kryesore që ju mund të jepni dhe në fakt duhet të jepni është që të merrni pjesë në monitorimin e mekanizmit, pra, tjetër gjë kur thotë qeveria, apo kur thotë një palë që ky mekanizëm është i garantuar dhe nuk krijon hapësirë për deformim, apo manipulim, tjetër gjë është kur një sy i pavarur, siç është syri juaj, thotë të njëjtën gjë,, që ky proces është i garantuar, nga pikëpamja teknike,” deklaroi Kryeministri Rama.

Sa i takon procesit të regjistrimit të shetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Kryeministri tha se do të ndiqet modeli i Shteteve të Bashkuara. “Sistemi që ne po punojmë do jetë shumë i thjeshtë, do jetë një “open source” për të gjithë ata që duan të regjistrohen, si në SHBA, ku votuesit e shprehin dëshirën për të votuar, duke u regjistruar dhe pastaj nga ai regjistër do gjenerohet një listë zgjedhësish, që do jetë e përputhur me listën e zgjedhësve që gjenerohet këtu nga Gjendja Civile. Brenda pak javësh do kemi gati gjithë mekanizmin. Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur që të bëjmë maksimumin. Maksimumi, a është vota e emigrantëve për zgjedhjet e 2021 apo jo, këtë na lejoni ta finalizojmë brenda pak javësh dhe ta ndajmë me ju bashkërisht si konkluzion, se si vullnet, si dëshirë, si zotim dhe si angazhim i yni nuk diskutohet që po, patjetër,” deklaroi në fjalën e tij Kryeministri Rama.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.