Kreu Aktualitet Zgjedhësit do ta japin gjykimin me votë në vitin 2021

Zgjedhësit do ta japin gjykimin me votë në vitin 2021

523
0

Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama: 

Të nderuar bashkëqytetarë mirëmbrëma!

Ky është një nga ato momente kur përtej fjalëve që thuhen, ekraneve që zhurmojnë, portaleve që bubullojnë dhe përtej konfliktit politik që buron nga interesat partiake personale të të zgjedhurve, por synon përçarjen e zgjedhëse, duke nxitur urrejtjen, dhunën, rrëmujën duhet të përpiqemi të shohim sa më qartë dhe të reflektojmë sa më thellë, duke e nisur nga vetja, secili e secila prej nesh, pastaj duke parë rreth e rrotull e përballë nesh në mënyrë që të kuptojmë e të kuptohemi sa më mirë.

Opozita parlamentare ka konsumuar një akt të panjohur ne historinë e vendeve me zgjedhje, të të gjitha vendeve të zhvilluara, apo më pak të zhvilluara që nga demokracitë perëndimore deri te regjimet hibride, një akt i paparë dhe i padëgjuar, por jo krejt i pashpjegueshëm sidoqoftë për ne, këtu në Shqipëri, të paktën në këndvështrimin tim që po e nis nga vetja.

Jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë dy herë.

Herën e parë me një koalicion partish pas 8 vitesh në opozitë.

Herën e dytë me shumicën absolute të shqiptarëve për partinë që udhëheq pas një palë zgjedhjesh nën një qeveri të përbashkët me opozitën. Kujtoj se opozitës iu dhamë të gjitha portofolet që kërkoi, përfshirë dhe Ministrinë e Brendshme, si dhe disa agjenci shtetërore, të lidhura, sipas saj, me ndikimin në zgjedhje, plus kryetarin e KQZ dhe gjithçka tjetër opozita kërkoi.

Kishim një synim të vetëm, mos kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve nga humbësi dhe mos përbaltja e Shqipërisë në gjuhë të huaj.

Mbi këtë dakordësi thelbësore u firmos edhe marrëveshja e minutës së fundit që ju besoj e kujtoni mirë që të gjithë.

Herën e parë zgjedhjet nuk u kontestuan. Faji iu la popullit që e dërrmoi me 1 milionë shuplaka pushtetin e atyre që sot vetëquhet popull i zemëruar ndërkohë që akoma s’kanë reflektuar pse humbën herën e parë dhe kjo është një nga arsyet pse humbën edhe më thellë herën e dytë, kur zgjedhjet përsëri nuk u kontestuan por paqja zgjati sa ëndrra e një vere, sepse në vjeshtë rifilloi avazi, ai i vjetri i kontestimit të zgjedhjeve dhe i përbaltjes së Shqipërisë, avazi që sot ka arritur një kulm të ri.

Shqipëria e sotme ka patjetër plot halle e probleme. Unë, meqë siç thashë, secili duhet ta nisë nga vetja, nuk jam as i rënë nga qielli dhe as pagabueshëm apo as i pakritikueshëm.

Përkundrazi, kam bërë gabime por kam ditur sidoqoftë edhe të tërhiqem edhe të them edhe më fal, jo një herë.

Po ashtu, më shumë se një herë reagimet e mia ndaj atyre që më janë vërsulur, pa marrë parasysh se dhe unë jam njeri, nuk kanë qenë për t’i mbajtur mend me krenari dhe s’jam krenar për to, por, ama, në anën tjetër, jam stërmunduar për t’i dëgjuar dhe respektuar të gjithë nga dhjetëra mijëra e ndoshta edhe më shumë njerëz të kontaktuar direkt ditë për ditë, qindra, nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 02:00, apo 03:00 të mëngjesit tjetër dhe deri te çdo komunitet me një problem, a një grup interesit në një protestë.

Jam tërhequr duke bërë hap mbrapa më shumë se njëherë kur kam kuptuar se kanë pasur të drejtë ata që ankohen, apo që protestojnë dhe jo qeveria, apo unë personalisht dhe nga ana tjetër, kam bërë çmos tu gjendem gjithnjë atyre që më kontaktojnë për halle e probleme të 1001 llojeve, ashtu sikundër dhe t’i respektoj me përgjigje dhe me replika ata që më shkruajnë në rrjetet sociale.

Për mua nuk është qejf, as nevojë për të shtyrë kohën se koha është ajo që më mungon më shumë, por është pjesë e detyrës, pjesë e përpjekjes për t’i përfshirë njerëzit e zakonshëm dhe për tu përfshirë me ta si njëri prej tyre, edhe kur gabimisht replikat e mia në rrjetet sociale lexohen si arrogancë, apo më keq akoma si tallje. S’është as e para dhe s’është e dyta!

Sulmohem përditë e përnatë, pa pushim, jo vetëm nga gojëpërdalët e opozitës zyrtare, por nga lloj-lloj figurash e tipash, kanal më kanal, portal më portal, deri në fis e në farë.

Kam hyrë në një borxh tanimë të pashlyeshëm me fëmijët, me gruan, me nënën, që mbajnë pesha të rënda e krejt të pamerituara balte dhe stresi, por dhe me të tjerë, të afërm e miq, që s’mbahet mend kur i kam takuar herën e fundit. E kam pranuar si haraçin e madh të privilegjit të jashtëzakonshëm që shumica e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi më ka bërë, duke më zgjedhur të drejtoj punët e vendit tim dhe të gjithkujt e gjithçkaje për të cilën dua të shërbej me zemër në këtë vend të quajtur Shqipëri.

Po kurrë nuk e kam menduar dhe jo më ta kem ngritur qoftë dhe gishtin e vogël të pushtetit ndaj kujt më ka goditur dhunshëm, me fjalë e jo vetëm, duke më baltosur e më bojatisur, si kriminel, apo bashkëpunëtor të krimit, si të droguar, apo trafikant droge, si hajdut, si mohuesi i fëmijës tim, apo si bartësi e shkaktari i njëmijë e një të zezave që as ndërmend s’i kam çuar kurrë, jo më t’i kem bërë.

Ua kam kthyer me fjalë, po, është e vërtetë! Ndonjëherë, edhe e kam humbur sensin e masës, mbase, në reagimet e mia, por ama kurrë s’do të gjeni në asnjë arkiv, që Saliut t’i kem thënë kriminel me duart me gjak, Lulzimit t’i kem thënë kusar patologjik, Ilirit t’i kem thënë horr bulevardi, Monikës t’i kem thënë hajdute me çizme, apo adashit tim me bojë në parlament t’i kem thënë idiot klasik…

Ashtu sikundër, s’do të gjeni kurrë në memorien video, apo audio të jetës sonë publike, ndonjë tytë balte drejtuar prej meje ndaj ndonjë analisti shpifarak apo gazetari elifimatrak. Sarkazma e ironi ndaj personazhit të tyre publik, por asnjëherë sulme verbale e lëre më të tjera ndaj personit të tyre. Lëre pastaj që të kem shantazhuar a të kem penguar ndonjë pronar mediash në kryerjen e detyrës së vet, pavarësisht tonelatave të baltës që shfryjnë përditë në drejtimin tim.

Nuk e di a janë a s’janë kryeministrore sarkazmat dhe ironitë e mia ndaj kundërshtarëve, analistëve e gazetarëve, apo qoftë edhe individëve të zakonshëm që nganjëherë më provokojnë në komunikimet e mia në rrjetet sociale.

Por di që, jo vetëm është shumë vonë që një njeri si unë të bëhet çun i mirë me të gjithë dhe shumë herët për mua që të bëj plakun e urtë ndaj të gjithëve, por një gjë të tillë as ua kam premtuar atyre që më kanë zgjedhur e as nuk është se nuk m’i kanë ditur qoftë huqet apo nuk m’i kanë parë qoftë dhe atletet me kostum kur më kanë zgjedhur.

Sidoqoftë, nuk është kjo pjesa më e rëndësishme, po është ajo që ka të bëjë sigurisht, jo aq me huqet e mia dhe me stilin tim, se sa me qeverisjen time.

Ky mbase s’është momenti, për të renditur se sa shumë kemi bërë në çdo fushë të djegur, të minuar a gjysmë të shkretuar që gjetëm, vetëm pesë e vjet e gjysmë më parë dhe që ndonjëherë kam përshtypjen që shumëkush harron se atje ku ishim, në një vend ku sekreti më i madh publik ishte vjedhja si sport kombëtar, që nga energjia e uji, deri tek shkumësat e shkollave dhe aspirinat e spitaleve; ishte droga si aktivitet politik e qeveritar, që nga Republika e Faqes së Zezë në Lazarat e deri tek mbulesa e heshtjes së madhe në çdo pjesë të Shqipërisë e në korridoret e pushtetit; ishte krimi si hije e jetës politike e publike, që nga vrasësit e përdhunuesit, të cilët nxirreshin me lejen e ministrit të drejtësisë për të shoqëruar deputetët e partisë në fushatat elektorale, të partisë që sot e ka drogën e krimin majë të gjuhës, e deri tek vrasjet ordinere, dyfish më shumë se sot; për të mos harruar vrasjet politike nën dritaren e Kryeministrisë, që sot as mund të imagjinohen; ishte paprekshmëria e të fortëve në tribunat e politikës e në llagëmet e krimit, falë gjykatësish e prokurorësh, që deri dje, jo nuk i prekte dot askush, po askush nuk guxonte ta imagjinonte se mund t’i çonte përpara gjykatës së Reformës në Drejtësi.

Por ky është me siguri momenti që ta them sa më troç e ta dëgjojnë sa më mirë të gjithë:

Shqipëria që unë dua dhe për të cilën kam marrë besimin e kam sot e gjithë ditën, sëbashku me Partinë Socialiste, mbështetjen e shumicës së këtij populli, nuk është kjo që kemi! Se po të ishte kjo, unë s’do të isha duke bërë këtë detyrë.

Por ama, kjo Shqipëri që kemi, jo nuk është ajo që kishim para pesë vjetësh e gjysmë, po nuk krahasohet dot në asnjë fakt, në asnjë shifër, në asnjë fushë e asnjë zonë të territorit të saj me atë Shqipëria që kishim, në kohën kur këta që sot kërkojnë kokën time, ia futën këtij populli kokën mes këmbëve të keqqeverisjes së tyre.

Shqipëria që unë dua dhe për të cilën luftoj përditë, me mish e me shpirt, nuk është Shqipëria ku ka ende plot familje që s’e arrijnë dot pa lot varfërie fundin e muajit. Po ama, në Shqipërinë që kishim, këto familje ishin shumë e shumë më tepër. Kjo shkruhet edhe në raportet e Bankës Botërore, jo vetëm në statistikat zyrtare të Shqipërisë.

Ashtu sikundër ishin shumë e shumë më tepër të papunët. Edhe kjo shkruhet jo vetëm në raportin e Bankës Botërore, po edhe në atë të Komisionit Europian.

Ashtu sikundër ishin shumë më tepër, ata që s’merrnin dot asnjë ilaç për shkak të pamundësisë për t’u siguruar. Kjo shkruhet në buxhetin e shtetit, ku tanimë, prej disa vitesh, rreth 600 mijë njerëz të pasiguruar, të cilët deri dje nuk preknin dot asnjë aspirinë pa e paguar, sot rimbursohen njësoj si gjithë të tjerët.

Ashtu sikundër ishin shumë më tepër, ata që s’i blinin dot as abetaren fëmijëve.

Po sot, abetarja dhe librat falas për të gjithë jepen deri në klasën e katërt dhe deri në fund të mandatit deri në klasën e nëntë.

Mund të vazhdoj në çdo drejtim e për çdo komunitet a grup interesi, që nga biznesi i vogël që sot paguan nga zero taksë në një të tretën e taksës që paguante deri dje dhe deri tek biznesi i madh, që sot paguan 15% taksë mbi fitimin nga 10% që paguante dje.

Po s’është ky vendi e as momenti për t’u zgjatur me krahasimin e dy kohëve qeverisje e dy forcash qeverisëse të pakrahasueshmeve; tonës që ka plot të meta e jo pak probleme, po qeveris për Shqipërinë që duam e për njerëzit e zakonshëm të saj, në radhë të parë dhe asaj të këtyre, e cila ishte e mbetet thjesht e vetëm e njëjta forcë që sa herë e pati mundësinë, prodhoi keqqeverisje me pasoja rrënuese për ekonominë, shoqërinë, Shqipërinë.  Dhe sot që  nuk e k mundësinë të qeverisë prodhon vetëm lajme të këqija nga Shqipëria.

Patjetër që nuk është Shqipëria që unë dua, ajo e gjendjes së shumë universiteteve dhe thuajse të gjitha konvikteve të sotme.

Po sot, studentët paguajnë vetëm 50% të tarifave dhe ata me 9 e 10, apo ndihmë ekonomike, mbulohen qind për qind nga qeveria, e cila u jep tanimë edhe 100 mijë lekë bursë çdo muaj. Ndërkohë rindërtimi i konvikteve ka nisur dhe nuk do të ndalet, deri kur të jetë rindërtuar konvikti i fundit.

E bënë studentët?

Po, studentët e bënë, duke e vënë në rendin e ditës me protestën e tyre, atë që ne ende nuk e kishim në rendin e ditës.

Ky është fakt ama, është një fakt që tregon se sa e vërtetë është për mua e për ne, fjala bashkëqeverisje; që tregon se sa i madh është dallimi mes qeverisë së atyre që sot bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna e nga ana tjetër, qeverisë sonë. E cila është e kritikueshme sa të duash, por e dëgjon gjithnjë popullin e saj dhe jo vetëm ua garanton, po edhe ua mirëpret protestën të rinjve, duke reaguar në të mirë të tyre e njëkohësisht, duke reflektuar për të përmirësuar vetveten.

Nuk është Shqipëria që unë dua, ajo e zyrave të shtetit që nuk u përgjigjen si duhet njerëzve, as sa duhet dhe as kur duhet. Po ama në Shqipërinë që kemi sot s’ka njeri të zakonshëm që të mbetet prapa dyerve të një zyre dhe të mos gjejë në krah qeverinë, mua personalisht dhe ministrat e mi, sapo çon një sinjal përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Patjetër që platforma e bashkëqeverisjes është si një adresë urgjence për të plagosurit nga sjellja e një administrate ende larg asaj që unë dua për Shqipërinë. Po ku ishte adresa e ndihmës së shpejtë të shtetit për ata pa emër, për ata pa miq, për ata pa kushërinj e krushq deri dje, kur thuajse pa përjashtim çdo njeri në hall me shtetin duhet të zgjidhte mes një partie dhe një ryshfeti, nëse s’ishte kushëri a krushk i një të forti në politikë, apo i një rrugaçi të njohur si i fortë?

Shqipëria që unë dua nuk është kjo Shqipëri që sot është në një udhëkryq mes të shkuarës e të ardhmes; mes kohës së atyre që sot lanë mandatet e deputetit sepse s’kanë mbrapa popullin, po hijen e frikës nga drejtësia e re dhe kohës kur drejtësia e re do të ndajë qartë akuzën nga krimet; do të ndajë përfundimisht  politikanët e akuzuar se janë të gjithë njësoj, nga ata që përmes politikës kanë bërë deri banjo edhe për macen e sot i flasin turmës së fanatikëve nga maja e takave firmato, si të ishin të dërguarit këmbëzbathur të Zotit, për të shpëtuar shqiptarët nga Djalli vetë…

Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s’ka dyshim.

Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike, kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit.

Është fatkeqësia e përsëritur e këtij vendi që goditet nga bij ndër të vetët, kur ka përpara një mundësi reale për t’u ngjitur më lart.

Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit.

Ashtu sikundër pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik; pra, mbi ekonominë e punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm e jo vetëm.

S’jam megjithatë këtu, sot, për të fajësuar opozitën që fajësinë e saj e ka bërë vetë botërisht publike.

S’jam po ashtu aspak i qetë që opozita jonë sot është kthyer në shqetësim real, serioz për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Kurrë s’më ka ardhur për shtat të flas keq për kundërshtarët politikë në gjuhë të huaj, po s’më ka ardhur ndonjëherë për shtat as boshllëku që ata kanë krijuar prej kohësh në jetën politike të vendit.

Praktikisht (dhe këtë e dinë të gjithë, edhe ata që s’e pranojnë publikisht) kjo opozitë e ka lënë prej kohësh tanimë Shqipërinë pa një sfidant të besueshëm politik të qeverisë.

Por unë e di dhe e them, që një opozitë e dobët, e cila për vizion ka përballjen muskulore me shumicën, për program ka mënyrat se si futen sendet ne parlament për të gjuajtur në drejtim të qeverisë dhe për ide ka vetëm sharjet pa hesap e për argumente ka vetëm akuzat pa kufi, nuk të motivon, nuk të energjizon, nuk të përmirëson, madje përkundrazi, siç dhe ka ndodhur ndonjëherë, të tërheq në batakun ku llokoçitet vetë dhe të bën si veten.

Megjithatë opozitën nuk e zgjedhim, thjeshtë e pranojmë, pa kushte, si shprehje të vullnetit të pakicës elektorale. E pranojmë pa kushte dhe përpiqemi t’i krijojmë kushtet që të mund të shprehet sa më qartë dhe të mund të kontribuojë sa më shumë.

A ju kujtohen tre ligjet e famshme për të cilat u bë nami në Shqipërinë që kishim nën qeverisjen e zotërinjve, të cilët sot ankohen se jetojnë në Venezuelë edhe pse çuditërisht, në Venezuelë, sot, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë me opozitën e atjeshme të muajve të fundit, ndërsa këtu janë kundër, pikërisht opozitës së ditëve të fundit.

Një nga ato tre ligjet, nuk ishte ligj, por ishte thjesht kërkesa jonë për t’i dhënë liderit të opozitës – unë nuk isha në parlament, – kohë fjale të barabartë në rregulloren e parlamentit, pasi flet kryeministri, jo në çdo rast që flet kryeministri. Jo që nuk u pranua, por u quajt me muaj të tërë si një kërkesë antikushtetuese dhe si një tentativë për t’i mbyllur gojën kryeministrit të kohës. Sapo erdhëm në qeveri, në 2013, kjo u bë realitet, e bëmë ne për ata. E sot që flasim, jo vetëm lideri i opozitës ka folur më shumë se unë në parlament, por edhe vetë opozita ka folur shumë më shumë se sa shumica e qeverisë. Po numërimi dhe votimi i famshëm elektronik që mbajtën ngritur një çadër këtu përpara me muaj të tërë, në mes të bulevardit, si kusht i panegociueshëm për të hyrë në zgjedhje, a ju kujtohet? Prej muajsh e kemi lënë në dorë të opozitës të vendosë për reformën zgjedhore dhe kemi pranuar pikë për pikë çdo rekomandim të ODIHR-it për atë reformë, siç na këshillon të gjitha palëve, raporti i Këshillit Europian, në funksion të çeljes së negociatave, ashtu sikundër kemi punuar ne, vetë ne dhe vetëm, duke studiuar dhe bërë teste për të futur votimin dhe numërimin elektronik si projekt pilot në disa njësi vendore gjatë zgjedhjeve të qershorit. Po ata? Të interesuarit për zgjedhje transparente? As nuk kanë denjuar të dëgjojnë, as për ato që kanë kërkuar vetë me këmbëngulje e duke mbajtur peng Shqipërinë me muaj të tërë e jo më pastaj të ulen në tryezë.

A mund të kishim bërë më shumë për ta ndihmuar procesin e ndërveprimit qeveri – opozitës? Nuk e di, mbase dhe mund të kishim bërë më shumë, por kemi qenë, jemi e do të jemi gati të ulemi e të dialogojmë për gjithçka që i shërben forcimit të demokracisë në vend dhe të institucioneve. Ama një, ndër shumëçka-të që mund të diskutohen e që mund t’i shërbejnë realisht forcimit të demokracisë nuk është as retorika e dhunshme, as dhuna mbi institucionet, as imponimi me dhunë i ndryshimit të raporteve politike të vendosura nga populli me votë dhe padyshim as ndërprerja e një mandati legjitim qeverisës përmes një kamikazërie politike mbi mexhlisin e jetës parlamentare.

Fatkeqësisht ata e dinë se humbjen e zgjedhjeve vendore e kanë të pashmangshme sepse e dinë që nuk kanë shumicë në popull dhe me gjithë respektin për punonjësit e bashkive që u kyçën sot për qytetarët nga Shkodra në Kamëz, e deri në Mallakastër pa harruar natyrisht Kavajën ku ka rifilluar të kthehet pisllëku për të furnizuar protestën para parlamentit, sovrani nuk është ai që del në rrugë, por ai që gjykon në zgjedhje.

U blenë zgjedhjet në 2017? E këtë e provoi Zëri i Amerikës prandaj duhet zëvendësuar argumenti me rrugën dhe sovrani me militantët që dalin në rrugë? Ndjesë, po këtë logjikë nuk e pranon jo demokracia dhe bota demokratike e cila ka dënuar me forcë tanimë, përmes deklaratave shumë të rënda për fjalorin demokratik këtë zëdhënie, por nuk e pranon dot asnjë nga ata njerëz të zakonshëm të këtij vendi që mund ta duan largimin e kësaj qeverie që sot, por nuk mund ta duan dot kurrsesi që vendi i fëmijëve të tyre të bëhet një territor i paqeverisshëm kurrë më, nëse futet rregulli i ri i padëgjuar askund në botë, i palexuar kurrë në libra, se kur një opozitë arratiset nga parlamenti, shumica duhet të ndërpresë mandatin e saj e të shkojë në zgjedhje me qeverinë që i pëlqen opozitës.

Kjo është logjikë humbësish që, jo vetëm e dinë që nuk fitojnë dot, por kanë humbur dhe arsyen nga dëshpërimi dhe dëshpërimi, lejomëni t’jua them deri në fund, lidhet jo vetëm me pushtetin që iku e nuk duket në horizont, por dhe me drejtësinë e re që po vjen dhe nuk ndalet dot me asnjë shpikje, me asnjë grup deputetësh të maskuar si popull i zemëruar, me asnjë fantazmë të rrëmujave të vjetra dhe me asnjë dhunim të institucioneve të gjithhershme demokratike.

Sa për blerjet e votave, nuk e fsheh dot që kur shoh Monikën që i thërret Zotit të mbrojë Shqipërinë nga blerësit e votave, them se me siguri i plotfuqishmi nuk merret me zgjedhje sepse përndryshe Monika do të ishte e para në listën e personave që do të shkonin në ferr për mëkatin e shitblerjes së votave. Ndërsa kur shoh kolegun e saj opozitar që i rrëmben mikrofonin nga dora të dërguarës nga qielli dhe rifillon në qiell të hapur këngën e çadrës, më kujtohet i njëjti zë, në çdo ditë të fushatës që u betohej demokratëve se do t’i çlironte përgjithnjë nga skllavëria e SHPK-së së Monikës dhe u thoshte merrjani lekët asaj, por votën përdoreni për të fituar lirinë dhe për t’u kthyer në shtëpi. Për dreq, në shtëpi erdhi ajo e lekëve, ndërsa skllevërit tani nuk janë më as popull se popull u bë Luli me Monikën. Kurse Zëri i Amerikës futet në këtë mes me idenë se shqiptarët janë budallenj e mjafton të dëgjojnë Amerikë se pastaj nuk do dëgjojnë më zërin matanë oqeanit, por zërin e çiftit opozitar që kapet si i mbyturi pas një fije telefonike, ku nuk flitet për asgjë, as për blerje, as për shitje, as për prova dhe as për vota.

Gjithsesi, askush nuk e ka mohuar se në Shqipëri nuk ekziston një fenomen i tillë. Unë jo, ka pasur dhe një sërë rastesh konkrete të zbuluara në zgjedhjet e shkuara ku u kapën sasira me para dhe u çuan në prokurori. Askush nuk flet ca bëhet me ato denoncime zyrtare, madje e panë të tërë se si u dha një zarf për mandat në Lezhë gjatë një inkursjoni elektoral të rrufeshëm të presidentit të LSI-së kur doli nëpër Shqipëri për të bërë thirrje për armatosje të popullit, shpjegimi zyrtar i partisë së motrës ishte: “andej nga ajo zonë, zarfi është një traditë popullore”.

As që më shkon ndërmend të them se unë kam zbritur nga qielli, bashkë me të dërguarën e Zotit për të mbrojtur shqiptaret nga paraja në politikë e nuk marr përsipër kurrsesi të pretendoj se askush, askund, asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin në këtë drejtim, edhe në emër të Partisë Socialiste prandaj kam qenë dhe jemi gati ne, Partia Socialiste, të marrim çdo masë ligjore për ta rënduar dënimin mbi shitblerjen e votës, ama kjo bëhet sëbashku dhe këta të interesuarit për të gjitha këto, jo që nuk janë ulur, por nuk janë dukur, madje që sot, janë zhdukur. Ama kush më thotë se në këtë vend blihet shumica e popullit dhe fituesin e vendosin votat e shitura, ose e di për budalla këtë popull ose nuk di se çfarë flet.

Zgjedhja që kjo opozitë ka bërë sot është zgjedhja më e keqe që mund të bënte për t’i dalë zot zgjedhësve të saj, por dhe Shqipërisë që ka nevojë për një opozitë vizionare, ndërvepruese, që krijon sinergji me popullin që është alternativë dhe që është serioze, por kjo është përgjegjësia e lidershipitt të sotëm të opozitës dhe ne mund të bëjmë fare pak ose aspak për ta shmangur vetëvrasjen politike të heqjes dorë nga përfaqësimi i zgjedhësve në parlament. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre, për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të viti 2021.

Përgjegjësia jonë është të vazhdojmë drejt në rrugën që na kanë përcaktuar zgjedhësit tanë dhe t’u shërbejmë me përkushtimin më të madh të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, aq më tepër në këto kushte kur qytetarët demokratë nuk i përfaqëson më askush në tempullin e demokracisë dhe të fjalës së popullit mes dy palë zgjedhjeve.

Kjo është një temë për t’u shteruar seriozisht më tutje, kjo e qasjes dhe ndërveprimit tonë me demokratët, njerëzit e zakonshëm, të mirë dhe të ndershëm të këtij vendi. Njëkohësisht dora e bashkëpunimit dhe e dialogut me opozitën, pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë. Edhe kjo temë me siguri do ketë kohën e vetë të shtjellimit më herët se vonë sepse jeta parlamentare e atyre që sot lanë mandatet mesa duket mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta politike vazhdon. Ashtu sikundër, kjo shumicë qeverisëse do të vazhdojë punët për Shqipërinë, jo sikur nuk ka ndodhur asgjë por edhe sepse kjo që ndodhi na ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe në udhëheqjen me largpamësi dhe me maturi të vendit dhe me shërbimin me përulësi dhe urtësi ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi pa asnjë dalim.

Dallimi nga sot është se ata që ikën do të bëjnë çmos që të përçajnë më shumë.

Ne që jemi këtu, do bëjmë çmos që të bashkojmë më shumë.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.