Kreu Ditar Ajet Xhindole mbeti një legjendë e kuqe

Ajet Xhindole mbeti një legjendë e kuqe

580
0

Më 23 Dhjetor 1943, mbushen 77 vjet nga vrasja barbare e Heroit të Popullit, Ajet Xhindole ish anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë për Beratin Sekretar i Rinisë së Komitetit Qarkor për Qarkun e Beratit dhe Komisar Politik i Batalionit të Rinisë “Margarita Tutulani”. Ajet Xhindoli lindi në vitin 1921 në një familje atdhetare. I ati, Ahmeti, kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, më 1912 kurse e ëma, Xhezmija, kishte mbaruar shkollën e mesme “Bab Dud Karbunara”. Këto kushte duket që ndikuan në edukimin patriotik të Ajetit, i cili sa hidhte shtat aq bëhej më i ndjeshëm, i qeshur, gazmor, plot gjallëri, optimizëm, i hedhur e guximtar, i thjeshtë e i dashur me shokët, i drejtë në jetë e në shoqëri. Qysh në shkollë, tek Ajeti filluan të shfaqeshin e të formoheshin ato veti e cilësi që më vonë qëndruan në themel të karakterit të tij.

7 Prilli i vitit 1939, e gjeti Ajet Xhindolen në gjimnazin e Shkodrës, shok i ngushtë me Nazmi Rushitin, Hajdar Dushin etj. Ai u vu në krye të protestuesve kundër pranisë së mësuesve italianë, kundër mësimit të kulturës fashiste etj. Si i tillë Ajeti përjashtohet nga shkolla. Ndjenja e lartë e atdhedashurisë e shtyri Ajetin që, më vonë të ndërpresë studimet universitare në Bolonjë të Italisë e të kthehet në qytetin e tij, në Berat. Ai tërë jetën e tij ia kushtoi LANÇ, si komunist e patriot i ndershëm dhe drejtues rinie i aftë, si bashkëpunëtor i Gjin Markut, Kahreman Yllit, Kristaq Tutulanit, Kristaq Capos, Myqerem Fugës, Iljas Bejkos, Hajdar Dushit, Urani Mullisit (Kudra), Argjiro Lekës, Luan Qafëzezit, Orhan Frashërit etj.

Ai u bë një ndër udhëheqesit kryesore të rezistencës antifashiste në Qarkun e Beratit. Atë e shikoje në rrugë, në shkollë, në lagje, në fshat, në Shpirag, Skrapar, Roskovec, Kuçovë. Lushnjë e Fier, në takime legale e ilegale, në protesta e në aksione. Shtëpia e  tij u bë një nga bazat kryesore të luftës në qytetin e Beratit. Ajeti organizoi e komandoi njesitin gueril në qytet. Pjesmarrja në prerjen e linjave telefonike, në aksionin për marrjen e makinës së shkrimit nga zyra e fashos, në aksionin e djegies së kolonisë verore të balilave fashistë dhe atentator i shquar. Duke qenë anëtar i KQ të Qarkut dhe sekretar politik i rinisë së qytetit Berat, ai ngriti peshë rininë në luftë kundër okupatorëve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë. Populli dhe rinia e Beratit e pa Ajetin në krye të demonstratës së madhe të 28 Nëntorit 1942, ku së bashku me Margarita Tutulanin, pa iu trembur vdekjes para mitrolozave të milicisë fashiste, rrëzuan flamurin e Italisë fashiste dhe ngritën në mes të qytetit, flamurin Shqiptar.

Trimeria e tij spikati në krye të formacioneve partizane. Ajeti qysh në Shtator të vitit 1943, duke qenë komisar i batalionit të Rinisë, u dallua si udhëheqës politik e ushtarak. Ai rrëmbeu zemrat e rinisë në terren e në batalion, me fjalën bindëse e me logjikën e tij prej propagandisti, që ngrinte dhe hidhte luftëtarët në sulm kundër armikut. Nuk pati përpjekje ku të mos merrte pjesë Ajeti. Ai u dallua në luftimet kundër forcave gjermane në qytetin e Beratit. Me guxim e aftësi, e udhëhoqi batalionin në luftimet në çarjen e rrethimit në fshatin Lybeshë, në luftimet në zonën e Paraspuarit, në Dëshnicë, në Qafën e Shkozës e në mënyrë të veçantë në betejën legjendare në Tendën e Qypit, në operacionin e forcave armike të dimrit 1943-1944.

Në Dhjetor të vitit 1943, komanda gjermane dhe forcat balliste ndërmorën veprime luftarake në rrethin e Beratit dhe Skraparit, që ishte pjesë e pandarë e operacionit ushtarak të armikut kundër forcave të Ushtrisë NÇ në Jug të Shqipërisë, më parë në krahinën e Mesoplikut e të Kurveleshit e, pastaj, kundër forcave të Ushtrisë NÇ në Qarkun e Beratit. Ky operacion u përgatit nga komanda gjermane dhe ajo e ballistëve, me forca të shumta dhe të shoqëruara deri në dhëmbë me armatime, përfshi dhe artileri etj. Për këtë qëllim krerët e Ballit Kombëtar, krijuan një komandë të operacionit të Jugut me komandant Kadri Cakrani, një nga eksponentët kryesorë të forcave balliste në Shqipërinë e Jugut.

Për realizimin e këtij operacioni, në përbërje të forcave balliste, vepronin disa komandantë të Ballit. Me forcat e tyre u nisën në drejtim të Nahijes dhe kishin objektiv kryesor katundet: Vërzhezhë-Radësh. Kolona e fundit që drejtohej nga Xhelal Staravecka që ndoqi rrugën e majtë të lumit Osum për të arritur në Tendën e Qypit dhe në Çepan. Këto forca u ndanë në dy pjesë: 330 vetë me Xhelalin në krye u nisën nga ana e Paraspuarit, Therepel, drejt Tendës së Qypit, për t’i dalë forcave të Skraparit nga prapa. Ato kishin objektiv kryesor Çepanin. Pjesa tjetër ndoqi rrugën me 400 forca, drejt Nishicës për në Çepan e Odriçan, ku qe vendosur të bëhej takimi i gjithë forcave pjesmarrëse në operacion.

Forcat e komanduara nga Xhelali dhe të ndihmuar nga forcat gjermane, u ndeshën në Dhjetor në Tendën e Qypit me forcat partizane të batalionit të Rinisë “Margarita Tutulani” që drejtohej nga komisari politik Ajeti. Qysh në goditjen e parë, sulmi i forcave partizane qe i fuqishëm. Megjithë lodhjen e madhe të partizanëve dhe kushteve tepër të vështira atmosferike, ata luftuan pa ndërprerje me forcat armike, vazhduan përparimin drejt majës së Toroninos dhe Çepanit, duke iu shkaktuar humbje të rënda forcave balliste. Në përpjekjet e përgjakshme me forcat e shumta gjermane dhe ato të Ballit, u vunë përballë batalionit të Rinisë që u gjend i vetmuar. Heroi drejtoi betejën me aftësi të madhe ushtarake. Ai urdhëroi të përqëndrohej zjarri i armëve partizane dhe të dëndësohej qitja kundër armikut, për t’i krijuar atij një përshtypje të rreme. Armiku duhet të kujtonte se kishte përballë jo vetëm një batalion, por shumë. Kjo taktikë e komisarit qe shpëtimtare për batalionin. Ai mundi t’i shpëtonte bllokimit. Në sprapsje e sipër, komisari u shkëput nga shokët e duke qënë i fundit në tërheqje, në atë natë të errët me mjergull e dëborë, forcat e të dy palëve u përzien aq sa nuk dalloheshin më pozicionet e njeri-tjetrit.

Në këto kushte, komisar Ajeti, duke kontrolluar vijën kryesore të forcave partizane e duke menduar se ecte drejt shokëve të vet, befasisht bie në duart e forcave të Xh.Staraveckës, të cilat  pa humbur kohë, ia dorëzuan atij. Menjëherë filluan ta torturonin tmerrësisht, duke e qëlluar me kondakun e dyfekut në kokë e në kërcinj. Veta Xhelali e godiste me thikë në të gjithë trupin. Ja dërrmuan kockat, ja copëtuan muskujt aq shumë sa me zor mund ta njohje se kush ishte. Pas dy ditësh torturash çnjerëzore, Xhelali nxorri revolverin dhe si një kriminel i pamëshirshëm, ia zbrazi tërë karrikatorin e fishekët në gjoks e në lule të ballit. Ajeti qëndroi kryelartë dhe i papërkulur, si ideali për të cilin luftonte. Ai i priti në gjoks plumbat e kriminelit që e ndanë nga gjiri i familjes, nga gjiri i të rinjve, nga luftëtarët e rinisë dhe nga gjithë populli i Beratit. Kur krimineli Xh. Staravecka e pyeti se ç’dëshirë të fundit kishte, Ajet Xhindole i tha: “Më vjen keq që rashë i gjallë në duart tuaja. Dëshira ime do të ishte të gjykohesha për këtë nga gjyqi ushtarak i Shtabit të Përgjithshëm e jo nga një bandë kriminelësh, si ju”.

Bashkëluftëtar dhe dashamirës të Ajetit, e morën trupin pa jetë  dhe e sollën në shtëpinë e tij, në Berat. Gjithë Rinia dhe bashkëluftëtarët e Ajetit shkuan në shtëpinë e tij për të marrë pjesë në varrimin e komisarit politik të batalionit. Përballë portës së shtëpisë, gjermanët kishin vendosur ushtarë të armatosur, por që të gjithë pjesmarrësit shkuan dhe e takuan nënë Xhezon! Vizitat vazhduan pa ndërprerje tërë natën: “Qëndro e fortë nënë! Lufta na do trima! Ajo u përgjigj: Ajeti u vra si trimat. Ne ngushëllojmë shokët për humbjen e tij. Asgjë nuk do të na përkulë deri sa të fitojmë. Të rrojë populli! Të rrojnë shokët! Të  nesermen, arkivolin e shoqëruan një mizëri njerëzish. Gjithë populli i qytetit dhe shokë nga të gjitha krahinat e qarkut moren pjesë në varrimin e Ajetit. Varrimin e trimit e mbuluan me buqeta e kurora me lule të freskëta me mbishkrimin: “…Komisari i pavdekshëm i rinisë”.

Lufta për çlirimin kombëtar, ka qenë paqedashëse dhe shpëtimtare. Në të dhanë jetën 28 mijë Yje të Pashuar. Trimeria dhe heroizmi I tij oshëtiu në Tendën e Qypit e deri në malin e Tomorit dhe në katër anët e qarkut. Me qendresën heroike edhe pse ndodhej para pushkatimit, me aktin e tij do të mbetet në jetë të jetëve frymëzues i atdhedashurisë. Heroi i popullit Ajet Xhindole, është përjetësuar në monografi, broshura, shkrime, këngë. Busti i tij është vendosur para shkollës së mesme në Berat dhe përjetësohet edhe në lapidarin që qëndron madhështor e krenar në qafën e Kulmakut se ka në themel gjakun e të rënit për lirinë e popullit, për Shqipërinë, gjakun e tij e ka thithur toka, ndërsa emrin historia. Ky lapidar është ngritur në Qafën e Kumbullave-Terpan, Bera, aty ku më 23 Dhjetor 1943, bëri fli jetën 22 vjeçare, Heroi i Popullit, Ajet Xhindole. Ne 77 vjetorin e vrasjes barbare të këtij Heroi, përulemi me respekt dhe nderojmë  këtë figurë të shquar që dha jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.