Kreu Ditar Mjeshtër i maskimit dhe atentateve

Mjeshtër i maskimit dhe atentateve

537
0

Vasil Shanto ishte njeri nga themeluesit e PKSH. Ai zoteronte disa gjuhe te huaja: italisht, frengjisht, serbokroatisht. Ka qene komisar i çetes partizane te Pezes dhe punoi ne Tirane e Shkoder.

Vasil Shanto lindi më 17 Gusht 1913 në një familje të varfër. Vitet e fëmijërisë, Ai i kaloi në Strugë, tek kushërinjtë e tij dhe u kthye përsëri në Shkodër në moshën shkollore. Filloren e kreu në qytetin e Shkodrës në vitin 1927. Më vonë vazhdoi gjimnazin, por për arsye ekonomike e ndërpreu dhe filloi të punojë si furxhi në dyqanin e babait. Kriza ekonomike e vitit 1929, përfshiu edhe zejtarët e Shkodrës dhe familja e Vasilit u shpërngul në Tiranë, ku i ati dhe Vasili vazhduan punën në dyqanin e tyre.

Në Tiranë Vasil Shanto bie në kontakt me të rinj përparimtarë dhe me idetë komuniste, që në atë kohë kishin filluar të përhapeshin kudo në vendin tonë. Në vitin 1938, Ai zuri miqësi të ngushte me Qemal Stafën, i cili ishte transferuar nga Shkodra në Tiranë. Qysh në fillim të aktivitetit të tij politik, Vasili tregoi cilësi të larta organizative dhe së bashku me Qemal Stafën u vu në krye të punës dhe nëpërmjet Vasilit, Grupi Komunist  i Shkodrës krijoi e mbajti lidhje me Tiranën por edhe me qytete të tjera si me Durrësin, Elbasanin, Korçën, Bilishtin e Gjirokastrën.

Në fillim të Janarit të vitit 1939, së bashku me shokët e tjerë të Grupit Komunist të Shkodrës, arrestohet në Tiranë edhe Vasili. Ai dhe Qemal Stafa u torturuan ditë me radhë nga xhelatët zogistë, port ë dy qëndruan si burrat, duke mos treguar asnjë shok dhe duke shpëtuar kështu organizatën e Tiranës të këtij grupi komunist.

Në burgun e Tiranës, ku u grumbulluan të gjithë komunistët që ishin arrestuar me atë rast, rreth 75 veta, Vasili organizoi kolektivin e parë të burgjeve. Këtë punë ai e vazhdoi edhe në burgun e fshatit Mbreshtan të Beratit, ku u dërguan 53 komunistë që u dënuan në gjyqin e Tiranës. Para gjyqit zogist që u zhvillua në Tiranë, Vasili mbajti një qëndrim të  lartë prej militanti komunist. Prandaj edhe e dënuan me 10 vjet burg e punë të detyrueshme. Kur u shpërthye burgu i Beratit, Ai, së bashku me një grup shokësh, mori rrugën e mërgimit pët në Jugosllavi, por, pas disa ditësh, qeveria profashiste e Beogradit i ktheu të gjithë në Shqipëri.

Vasil Shanto ka qenë ndër të parët që së bashku me Qemal Stafën, përkrahu fuqimisht përpjekjet për bashkimin e grupeve komuniste dhe krijimin e Partisë Komuniste. Në Korrik të vitit 1940, i ndjekur nga policia italiane, Vasili del ilegal dhe është një ndër ilegalët e parë. Në verën e vitit 1941 shkon në çetën e Pezës, tek luftëtari i shquar Myslim Peza, ku dhe qëndroi si komisar politik i çetës. Më 8 Nëntor 1941, Vasili merr pjesë në mbledhjen e grupeve komuniste për krijimin e PKSH. Pas formimit të Partisë, Ai ngarkohet me detyra të ndryshme. Vasili organizon atentate, krijon baza partizane në Tiranë, depo për armë dhe interesohet sidomos për tekniken e Partisë.

Në Mars të vitit 1943, së bashku me shokët e tjerë, merr pjesë në Konferencën e parë të vendit të PKSH, ku zgjidhet kandidat i Komitetit Qendror. Në Maj të vitit 1943, shkon në Shkodër si i deleguar i KQ me qëllim që të ndihmojë në punën e Partisë dhe në organizimin e çështjeve ushtarake. Me të ardhur, u muar me riorganizimin e Komitetit Qarkor të Partisë dhe me riorganizimin e punës ushtarake në qytet, duke zgjeruar numrin e njesiteve dhe zonën e veprimtarisë së tyre. Me anën e njesiteve guerile të qytetit dhe me interesimin e “Veliut” u krijua në qytet depo me veshmbathje, ushqime, armë etj. Në këtë mënyrë u plotësua me armatime e veshmbathje batalioni partizan “Perlat Rexhepi”. Shkodra u shndërrua në një qytet që s’preu asnjëherë aksionin. Lufta guerrile vazhdoi nëpër vite pa ndërprerje. Dhe kjo i takon edhe mjeshtrit te aksioneve, Vasil Shanto.

Një kujdes të veçantë Ai u kushtoi aksioneve të njesiteve guerrile të qytetit për vrasje spiunësh, për sabotime, për prerje linjash telefoni të armikut, për marrje armësh etj. Për organizimin e këtyre aksioneve, Vasili kishte cilësi të jashtëzakonshme dhe me këto cilësi, Ai pajisi edhe shumë shokë të njesiteve guerrile, si Hajrullah Kastratin, Daniel Matlinë etj. Vasili ishte mjeshtër edhe në artin e maskimit, duke ndërruar pamje e veshje sipas nevojës: herë si fshatar, herë si nëpunës i lartë etj.

Në serinë e atentateve të organizuara prej tij, ato që spikasin janë: atentati kundër komandantit të xhandarmërisë major Ndrecë Prengës në mes të qytetit, më 3 Nëntor 1943 dhe vrasja e funksionarëve të lartë ushtarakë të regjencës kuislinge në rrugën Shkodër-Pukë në fillim te Tetorit 1943.

Korrieri solli nga Tirana një letër konspirative në bazën e Partisë, në Dergut. Në atë letër jepej një njoftim tepër i rëndësishëm. Të nesermen, deri në drekë, do të kalonte nëpër Shkodër për në Prizren një veturë të re “Fiat” bojë qielli, me disqe të kuq, me gomë rezervë që e kishte diskun jeshil, me një gërvishtje të bardhë në paragrafin e fundit, me numër jo fort të dukshëm, që mbaronte me “8”. Makina drejtohej nga një shofer i shkurtër me mustaqe të gjata, letra kërkonte që të zhdukeshin me çdo kusht. “Veliu e lexoi letrën edhe një herë, ferkoi mustaqet, puliti sytë dhe diçka mendoi.

-Do t’i vrasim, – i tha Reshitit, i cili në atë kohë po pastronte automatikun që bashkë me Veliun e kishte marrë një muaj më parë në një aksion kundër milicisë.

-Kë do të vrasim? – pyeti menjëherë Reshiti, duke i futur stegën armës që e donte aq shumë.

-Do ta them më vonë, – u përgjigj Veliu, – por a din ç’ka? Shko e më gjej Galën, ti atë e njeh mirë. Në mbrëmje, ejani bashkë. Reshiti ngjeshi nagantin në brez, futi në xhep granatën, veshi pardesynë e zbardhur, ngriti pak jakën dhe si përshëndeti me grusht përpjetë, u nis, ndërsa Veliu filloi të bluaj planin e aksionit në mendjen e tij.

Të nesërmen, andej nga ora 8 e mëngjesit, prej shtëpisë së “Toskës” u nis një “Ardita” bojë kafen, e cila kaloi përmes pjacës së Shkodrës.

-Jepi pak, Galë, duhet t’i arrijmë patjetër. Ata kanë njëzet minuta që kanë kalue Shkodrën, – i tha Veliu.

-Hiç mos u ndij, more bablok, i zen Gala ata, veç në fluturofshin në hanë, – dhe i mëshoi gazi ma shumë porsa kaloi urën e Kirit. Maqina ecte me shpejtësi, duke lënë mbrapa shtëllunga – shtëllunga tymin e pluhurin e rrugës së pa asfaltuar.

Vetura vazhdoi rrugën deri në Rrapë. Aty, sipas porosisë së Veliut, makina, qëndroi në mes të rrugës, ndërsa Gala hapi dy dyert e fundit dhe vetë u shtri nën të me një çelës në dorë për të rregulluar gjoja radiatorin e prishur. S’vonoi shumë e shoferi i “Fiatit”, duke i rënë borisë pa ndërprerje, kërkonte t’i hapej rruga. Ai e ndali veturën vetëm dy pëllëmbë afër “Arditës”.

Shoferi, nervoz e kapadai, zbriti nga makina duke turfulluar dhe iu afrua Galës. –Ç’ka dreqin ke, allahile? Hap, more rrugën, se kam një urgjencë! – i bërtiti.

-Mos bërtit, mor burrë, se pata rrezik, më asht shpue “radiator” – u përgjigj Gala, duke e theksuar fjalën e fundit me zë të lartë.

Në këtë kohë, Veliu dhe Reshiti kërcyen në tokë porsi vetëtima dhe, sa çel e mbyll sytë, malet ushtuan nga krismat e dy automatikëve që qëlluan mbi të dy oficerët e lartë. Gala ktheu makinën, ndërsa Veliu me Reshitin prenë linjën telefonike Pukë-Shënmëri, pastaj u futën në “Ardita” dhe morën rrugën për t’u kthyer nga kishin ardhur. Ishte Tetor i vitit 1943!

Ky qe një ndër të dyzet aksionet e atentatet që u kryen në Shkodër gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, të cilët i kallën tmerrin armikut dhe janë vepra të guximshme të kryera me sukses nga shokët trima të njesitit guerril të Shkodrës, vepra që u përgatitën, u organizuan dhe u drejtuan shpesh herë nga vetë Vasil Shanto.

***

Një ditë, në mëngjes, Manush Alimani çoi  e më thirri te Fusha e Tigrit, rrethuar me mure në Xhabitej, e cila pati shërbyer si vend i takimeve të shokëve ilegalë me të rinjtë, pionierët dhe aktivistët e Luftës Nacionalçlirimtare gjatë ditëve të rënda e të vështira, kur kishte shpërthyer terrori i egër dhe reaksioni i tërbuar.

Ishte ditë me diell, por bënte ftohtë, se frynte murlani i Shkodrës. Manushi ilegal, me pallto të madhe bojë kafe, me kasketë cikalare, kishte futur duart në xhepa dhe po lëvizte nga qoshja në qoshe, aty, mbas derës së fushës. Dukej jashtëzakonisht i shqetësuar. Diçka e madhe kishte ndodhur. Sa më pa, më porositi të shkoja shpejt për të parë tre shokë që ishin ekspozuar përpara prefekturës, të vrojtoja me kujdes fytyrat, veshjen e tyre dhe të kthehesha menjëherë për t’i njoftuar shenjat kryesore. Shkova. Përpara prefekturës ishin shtrirë tre trupa që, edhe pse të vdekur, ruheshin nga oficerë dhe xhandarë të armatosur. U futa në grumbull të njerëzve, dhe, me kokë të ulur, u shtanga para shokëve tanë të pajetë. U ktheva shumë i lënduar në vendin ku priste Manushi dhe, duke marrë frymë thellë, fillova t’i tregoj:

-Reshit Rusin e njoha, ndërsa atë tjetrin në krah të majtë, me flokë të zesë e me rroba ushtarake, nuk e di kush ishte. Ai që ishte shtrirë midis tyre, një burrë i gjatë me pantallona shajaku, me ballë të gjërë, me flokë pak të rënë, me mustaqe të shpeshta… Mjaft, – tha Manushi dhe nuk më la të vazhdoj. Na shkonte mendja, por nuk na besohej. Ai është…vetë Veliu, motorri ynë… dhe sytë i shndritën nga lotët e dhimbjes së madhe.

Duke luftuar në breg të liqenit të kaltër, ishte vrarë kandidati i KQ të Partisë, i deleguari për rrethin e Shkodrës, Vasil Shanto. Dhe kjo ndodhi më 1 Shkurt të vitit 1944 në fshatin Gril të Shkodrës, në përpjekje me forca të shumta të xhandarmërisë.

RESUL BEDO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.