Kreu Ditar Rakibe Dervishaj mbeti lapidar

Rakibe Dervishaj mbeti lapidar

431
0

“Drita nuk t’u shua. Syri nuk t’u mbyll, Rakibe, moj motër, Ti na mbete yll”…

Dëshmorja Rakibe Dervishaj ishte një vajzë e re, e thjeshtë, e zgjuar. I ndritnin sytë, i shkëlqente fytyra. Ajo ishte një vajzë e shkathët, shumë punëtore dhe Atdhetare. Rakibeja, duke parë dhe shoqet e saj që do të dilnin malit për të luftuar, i tha nënës: “Shoqet ikën, më s’duroj/do dal malit për liri”. Dhe u nis në mal partizane. Shkoi për t’iu bashkuar shoqeve dhe shokëve të tjerë, luftëtarëve të lirisë. Në bustinë vuri yllin e kuq, në sup hodhi armën. “Ish lastarë e trëndelinë/kjo e vogla Rakibe./Dyfeku si lis mbi shpinë,/e fortë si shqipe qe”/dhe “sulej si shqiponjë, rreptë/,mbi pushkën e tradhtarit/.Për një shok, përmbyste dhjetë/,Dhe vetë mbeti lapidar”.

Por Luftën Antifashiste Rakibeja 15 vjeçare e kishte filluar më parë. Ishte pranuar në organizatën e rinisë komuniste, dhe ishte aktive. Vepronte dhe vetëvepronte në ilegalitet. Shtëpia e familjes Dervishaj, ishte bazë e LANÇ ku grumbulloheshin material të veshmbathjes, farmaceutike, të cilat u ishin kapur pushtuesve italianë dhe më pas ju shpërndaheshin partizanëve. Rakibeja dallohej si agjitatore për luftë, që të shporreshin pushtuesit e huaj; priste e përcillte shokë luftëtarë që shkonin nga qyteti i Vlorës. Shtëpia e saj ishte mikpritëse, hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat e njerëzve të familjes Dervishaj.

Zemra e re e Rakibesë gëzonte sepse edhe ajo kontribuonte për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Qepte këmisha, gjerdanë fishekësh, qëndiste yje për kapelet e partizanëve. Një yll të kuq e mbajti për vete se do t’i duhej, mendonte sot për nesër sepsee shihte sa e vështirë ishte situate. Kishte filluar Operacioni nazisto-ballist i Dimrit. Shtëpia e saj u dogj dhe flaka mbuloi gjithë fshatin. Fytyra e ëmbël e Rakibesë, u vrenjt, mori një pamje tjetër, iu shtua urrejtja ndaj armiqve, flakëroi atdhedashuria e saj, vendosmëria, trimëria. Ajo u bë partizane, shkoi në çetën “Zigur Lelo”. Me përurimin e Brigadës V-t Sulmuese, u rreshtua në rradhët e kompanisë së tretë të batalionit të dytë. Në skuadrën që u caktua, ishte e vetmja shoqe, si motër mes vëllezërish. Zbukuroi formacionin luftarak dhe do të ishte nën kujdesin e tyre. Trimja e vogël, do të jepte prova të reja atdhetare.

Partizania e re, e kishte armën në dorë dhe nisi të luftonte. E patrembur nga rreziqet e operacionit armik, nga të këqijat e dimrit, të terrenit, motit, urisë, pagjumësisë, të marshimeve të gjata, ajo u tregua trime. E palodhur, kalonte qafa e male. Rakibeja qëndroi me moral të lartë në luftimet që zhvilloi kompania në fshatrat Palasë, Dhërmi, Himarë dhe në gjithë krahinën e Mesaplikut.

Ishte fundi i Shkurtit 1944. Brigada e Pestë luftonte në Mesaplik. Kompanisë ku ishte Rakibeja iu dha detyra të sulmonte në zonën e Bolenës e të Vranishtit. Përballë tyre qëndronin forca të shumta gjermane. Komandanti i kompanisë sqaroi detyrat e luftëtarëve në situatën e dhënë. Ndër të tjera dha porosi që Rakibeja të mos shkojë në vijën e parë të sulmit. Ai kishte parasysh temperamentin e vajzës së re dhe me këtë porosi tregonte kujdes dhe respekt për jetën e saj. Por Rakibeja u prek, u ngrit midis partizanëve dhe u përgjigj: “Në luftë jemi njësoj, të gjithë luftojnë. Vendi dhe nderi im është atje në ballë e jo në fund. Po të trembesha nga lufta, rrija në shtëpi dhe s’vija këtu”. Fjalët e saj të shtonin optimizmin dhe të jepnin forcë e besim për luftë e fitore. Një vajzë adoleshente, trupvogël, por me zemër të çeliktë, që syri nuk i trembej, zemra nuk i dridhej, dora nuk i mpihej. Dhe gishtin e mbante në këmbëzën e shkrepjes.

Dhe brofi përpara. Lufta u ndez e ashpër. Skuadra ku merrte pjesë Rakibeja, lëvizi përpara dhe ajo nuk iu nda shokëve. Partizanët u shtrinë barkas, gati për zjarr. Qëndruan për një kohë pa lëvizur, por kjo nuk mund të vazhdonte gjatë, prandaj lëvizej me grupe, një pjeëë hapën zjarr kundër mitralierit armik, i cili futi kokën pas shtratit të mitrolozit dhe për një çast e ndërpreu zjarrin. Këtë rast, partizanët e shfrytëzuan dhe nisën të përparojnë. Rakibeja u zvarrit në drejtim të mitralierit armik, i cili nisi të qëllojë: vuri në shenjestër skuadrën dhe hapi zjarr të dendur. Rakibeja zvarritej mes plumbave. Ishte shumë afër mitralozit gjerman. E zbrazi armën me kujdes, u afrua dhe ca drejt pozicionit armik. Papritur mitrolozi armik shtiu mbi të. Një plumb e kishte plagosur në gjoks. Ajo nuk e dha veten, por trupi iu rendua, plaga po i ftohej. Ashtu siç ishte, u foli shokëve “u plagosa”. Luftëtarët e tërhoqën nga vija e parë dhe e çuan në një shtëpi. Vajza kishte marrë në trup disa plumba, por qëndronte e fortë, dhimbjet i duronte. Eh, çfarë trimëreshe e rrallë!

Zemra e trimes Rakibe Dervishaj pushoi. E kujt nuk i erdhi keq për atë vajzë trime? “Nënat mbi të hodhën ligje Labërie/nga buza dridhej/një shikim fëmije. Janë ligje të gruas labe. “Me gëzim shkove në çetë/ti o shoqja Rakibe/iu ngjite malit përpjetë/trimëreshë e maleve/ishe rritur në Smokthinë/o thëllëzë e maleve/në male me trëndelinë/motër e partizanëve/s’tu tremb syri në beteja/o flamur i luleve”.

Lajmi për rënien në fushën e nderit të vajzës dëshmore, u përhap gjithandej. Zemra e pezmatuar e njerëzve, fliste për figurën e saj. Komandanti i Brigadës derdhi vargje për Dëshmoren Rakibe Dervishaj.

Atëherë dhe në vazhdim, nuk pushuan vargjet. Nderohet Dëshmorja Rakibe. Në Buletinin  “Trumbeta Çlirimtare” të Qarkut të Vlorës më 22 Gusht 1944, bdër të tjera thuhej: “…Grua, Grua! E gjhetë rrugën e drejtë. Ec gjithnjë se atje lart, në majë të malit, duket një dritë: ajo është fitorja. Ti që vuan të zitë e ullirit, thyej gjithmonë zinxhirët skllavëronjëse dhe futu në luftën çlirimtare, ku do të gjesh ilaçin e dritës së vërtetë.

Ndëro gjakun e shoqeve të tua, gjakun e Margaritës, Rakibe Dervishit, Zonja Çurres, Shejnaze Jukës, Merjeme Gjomemaj e kushedi sa të tjerave…”.

Jeta e Rakibese u ndërpre. Gjaku i saj skuqi tokën mëmë. Amanetin e saj e mbajti larta familja “Dervishaj”. Tridhjetë gryka zjarri shkrepën e flakëruan nga ky fis i mirënjohur. Vëllai i Rakibesë, do te shprehej: “Historike është Smokthina, e vjetër me thinja, e kuqe si ngjyrë gjaku ku valëvitet i lirë bajraku”.

“Ata nuk vunë lule në themelet e Republikës, por jetën, të ritë, gjakun e tyre! Dhe kalon lavdia e tyre nga brezi në brez dhe do të tregojnë për ta malet, fshatrat, qytetet, ku kaloi revolucioni…”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.