Kreu Aktualitet Vendimi për negociatat, Kryeministri Rama: Fjala e fundit nuk është thënë ende

Vendimi për negociatat, Kryeministri Rama: Fjala e fundit nuk është thënë ende

822
0

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Në prag të marrjes së vendimit për celjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama, përmes një video mesazhi publik, ka deklaruar se, Shqipëria është në pritje të përgjigjes përfundimtare të cilën askush nuk mund ta dijë deri në minutën e fundit. Duke iu referuar specifikisht Francës, Kryeministri Rama tha se gjithcka varet nga tryeza e bisedimeve me Gjermaninë, por absolutisht ky vendim nuk i përket më arritjeve të Shqipërisë, e cila i ka përmbushur, sic tha ai, të gjitha detyrat e shtëpisë dhe se një gjë të tillë e ka konfirmuar tashmë edhe Komisioni Europian i cili i ka rekomanduar Këshillit të Europës celjen e negociatave pa kushte.

“Tanimë dihet botërisht ajo cka unë e kam ndarë prej kohësh me ju. Shumica dërrmuese e sheteteve anëtare duan celjen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim me të dy vendet, edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut, pa kushte. Gjermania e cila sot udhëheq frontin e “Po”-së ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur “Po”-në me disa kushte të cilat janë të arsyeshme për ne dhe jo të parëndësishme për të afruar Francën dhe 2-3 vendet që deri më sot janë në pozicion të pafavorshëm në lidhje me pritshmërinë tonë. Franca dhe ato 2-3 vende nuk kanë dalë sidoqoftë ende në një pozicion përfundimtar dhe sic është plotësisht e mundur të mos lëvizin deri në fund nga poziciioni i tyre nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromisi,” u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas kreut të qeverisë, dyzimi i Presidentit të Francës Emanuel Macron nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë në vetvete por me unionin në përgjithësi.

“Presidenti i Francës ka një vizion dhe një qasje krejtësisht të shpallur që prej ditës së parë të zgjedhjes së tij për një reformmim të thellë të unionit përpara sesa të vazhdohet me zgjerimin e BE. Macron nuk është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin europian të Ballkanit Perëndimor pa shtyrë më parë reformimin e vetë unionit. Kjo qajse e Francës është konceptualisht e shpërptuhur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e PO-së për celjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por ka shumë rëndësi të kuptohet që kjo nuk është kurrsesi një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete, apo perspektivës së Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Asgjë nuk mund të përjashtohet deri në minutën e fundit, sidoqoftë dhe njëkohësisht askush nuk duhet të harrojë sa se shumë patate të nxehta janë këto ditë në tryzën e BE që nga Brexit deri te e fronti i luftës në Siri që do të diskutohen në të njëjtën ditë, në 18 tetor,” u shpreh Rama.

Kryeministri tha se fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensive të këtyre ditëve deri në mbledhjen e Këshillit të unionit, ku do të merret edhe vendimi, synojnë të përputhin qëndrimet e dy anëve në pritje të rezultatit të bisedimeve mes Gjermanisë dhe Francës që janë kyce.

“Unë nuk e di sot, askush nuk e di në fakt se si do përfundojë kjo odise në datën 18 tetor. Ja çfarë di me siguri dhe dua të ndaj me ju sot: E para, përtej të gjitha spekullimeve, gënjeshtrave, brockullave për konsum të brendshëm politik në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetorit nuk ka lidhje me cfarë kemi bërë dhe nuk kemi bërë ne për të merituar PO-në. Kaq e vërtetë është kjo sa c’është e vërtetë që dhe sikur sot në vend të Shqipërisë e Maqedonisë të ishin dy vende të tjera që janë pjesë e BE situata e tyre do ishte po njësoj, pa asnjë ndryshim, sepse – dhe këtu vijmë tek e dyta, – vendimmarrja ka lidhje thelbësore me cfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata anëtarët e unionit mes vedi, me reformat e BE dhe me metodologjinë e negociatave me vendet kandidate dhe me sa do të arrijnë mes tyre të dakordësohen mbi faktin se, cilado qoftë reforma e BE ajo nuk duhet të pengojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi të vazhdojnë reformat e tyre falë procesit të negociatave. E treta, ne kemi arritur të bëjmë më shumë sesa thjesht detyrat e shtëpisë për të cilat Komisioni i ka dhënë këshillit rekomandimit për celjen e negociatave pa kushte, sepse me forcën e diplomacisë dhe falë marrëdhënieve të forta të respektit dhe të besimit që kemi krijaur në Berlinin zyrtar ia kemi dalë të kapërcejmë pengesën e lartë që u ngrit në Bundestag, edhe si pasojë e planit politik kundër negociatave të opozitës jashtëparlamentare nga janari deri në fund të qerhsorit. Falë komunikimit intensiv dhe të sinqertë edhe me faktorë të rëndëishëm në CDU-CSU dhe falë mbështetjes së tyre për Shqipërinë, Bundestagu i tha PO Shqipërisë dhe sot Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të komplikuar,” deklaroi Rama.

Kryeministri siguroi se, “për pak ditë do të mësojmë përfundimin e këtij kapitulli shumë të vështirë të historisë së përpjekjeve për tu bërë pjesë e BE, por cilido qoftë ai përfundim, të nesërmen e vendimit të Këshillit Europian dielli do të lindë përsëri dhe dita do të jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekjeje historike shtetbërjeje europiane drejt Europës dhe Shqipërisë europiane që duam për fëmijët tanë, jo për Brukselin, jo për Berlinin, jo për Parisin, jo për BE-në, por për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.