Kreu Sociale Zhvillimi rural përtej sektorit bujqësor

Zhvillimi rural përtej sektorit bujqësor

668
0

Kuptimi rural është ai vend ku ndodh përballja, ndërveprimi dhe transformimi reciprok i njeriut me natyrën. Kjo lloj përballjeje ndodh përmes një game të gjerë praktikash të cilat janë të lidhura në kohë dhe hapësirë. Kjo përfshin bujqësinë, pylltarinë, peshkimin, gjuetinë, turizmin rural, sportet rurale si dhe jetesën në fshat.Zhvillimi rural është në thelb ri-gjallërim dhe fuqizim i zonave rurale. Zhvillimi rural synon të ri-pozicionojë konceptin e rurales brenda një koncepti më të gjerë të shoqërisë, duke e bërë ruralen më tërheqëse, më të arritshme, më të çmuar dhe më të dobishme për shoqërinë. Në Shqipëri zhvillimi ekonomik dhe social i zonave rurale ka pasur një historik të trazuar gjatë  viteve të fundit.

Shqipëria është një vend relativisht i vogël, me reliev të theksuar malor, lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 708 m, (dy herë më e madhe se mesatarja e Europës).  Vetëm 24 përqind e tokës së saj klasifikohet si tokë bujqësore dhe 64 % janë pyje dhe kullota.

Shqipëria rurale është shumë më tepër e varur në bujqësi se shumica e shteteve Evropiane dhe ka zhvilluar shumë pak prodhimin dhe shërbimet përkatëse. Forca kryesore e punës në vend është e lidhur me bujqësinë ndërkohë që të gjithë të dhënat e zhvillimit ekonomik dhe njerëzor janë më të ulëtat në rang kombëtar krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Teoria e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të jetë në gjendje t’i japë përgjigje një sërë problemesh të perceptuara nga ne, e që lidhen me zhvillimin e zonës rurale të tilla si:

– Raportet që ekzistojnë midis bujqësisë dhe sektorëve të tjerë nga ku i zhvillon këta të fundit por edhe varet zhvillimi bujqësor i zonës.

– Problemet që lidhen me mënyrat e adaptimit të shoqërisë rurale me mjedisin lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

– Problemet që ndesh shoqëria rurale në raport me strukturat shtetërore si dhe raportet që janë ndërtuar midis tyre.

Strategjia e Qëndueshmërisë dhe Zhvillimit Rural të Qëndrueshëmbazohet;“Në përmirësimin e konkurueshmërisë së bujqësisë, agro përpunimit dhe sektorit të pyjeve,  ruajtjen e peizazheve kulturorë dhe mbrojtjen e mjedisit”.

Zonat rurale në Shqipëri janë shumë më prapa në zhvillim sesa zonat urbane dhe po aq prapa në plotësimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, e sidomos ato lidhur me arsimin, shëndetin, çështjet mjedisore, statusin e grave rurale, etj. Ndërsa bujqësia vazhdon të luajë një rol kryesor në zonat rurale shqiptare në drejtim të sigurimit të të ardhurave dhe mundësive për punësim, shumë faktorë të tjerë ndërlidhës duhet të merren në konsideratë në mënyrë që të realizohen ndryshime strukturore.

Realiteti bujqësor në zonat rurale tregon se bujqësia është e dominuar nga ferma me sipërfaqe të vogël (mesatarisht 1.2 hektarë) dhe të copëzuara në mesatarisht 3.9 parcela/fermë, gjë që përbën një pengesë të rëndësishme për rritjen e produktivitetit të tokës dhe zhvillimin  eficient të sektorit bujqësor. Fermat me madhësi të vogël janë më të përhapura në pjesën malore dhe veriore të vendit, si në prefekturat e Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës (me mesatare respektivisht prej 0.54 ha, 0.55 ha, 0.85 ha dhe 0.94 ha).Parcelizimi i tokës bujqësore ka bërë që përdorimi në shkallë të gjerë i mekanikës bujqësore të jetë i kufizuar, ka mungesa në sistemin e vaditjes, rendimente minimale të kulturave bujqësore etj. Nga ana tjetër, lëvizjet e parështura migratore nga zonat rurale në drejtim të qendrave të mëdha të banuara kanë bërë që sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore të lihen djerrë.Kombinimi i bujqësisë, atje ku bujqësia ka potencial të ulët zhvillimi, me aktivitete jobujqësore është shume i rëndësishme për zhvillimin e integruar rural.

Rëndësia e përfitimeve socio-ekonomike të pyjeve.

Pyjet dhe kullotat zënë(64 % e teritorit), atokanë potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe për një ekonomi më të gjelbër. Pyjet janë pasuri natyrore me rëndësi jetike.Rëndësia e pyjeve është e gjithanshme dhe gjithpërfshirëse, duke i bërë një element thelbësor të jetës sonë. Përfitimet dhe impakti i pyjeve, sipas përdorimit të tyre,  kategorizohet në: Pyje për Njerëz, Pyje për Zhvillim ekonomik, Pyje për Ushqim, Pyje për Natyrën.

Energjia nga druri është burimi i vetëm i energjisë në zonat rurale veçanërisht e rëndësishme për njerëzit e varfër.Mbledhja e produkteve pyjore jodrusore të ngrënshme gjithashtu mbështet sigurinë e ushqimit dhe ofron përfitime financiare për shumë njerëz që jetojnë në zonat rurale malore.

Bimët mjekësore dhe aromatike janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i bimëve mjekësore dhe aromatike. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si bimë mjekësore dhe aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen. Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, dukë përbërë 19% të eksporteve totale të vendit. sipas INSTAT, vlera e eksporteve arriti në 3.9 miliardë lekë, nga rreth 2.1 miliardë lekë në vitin 2008. Sektori i bimëve aromatiko-mjekësore, me një impakt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, shënon mbi 90 mijë familje të punësuara, kryesisht në zonat rurale duke ndikuar ndjeshëm në uljen e papunësisë.

Në fondin pyjore kemi edhe një sipërfaqe prej 13.213 ha me Gështenja me një prodhim mesator vjetore afro 14.165 ton. Çmimi i eksportit ka qenë 1.3 euro për kilogram, duke siguruar për kompanitë më shumë se 3.2 milionë euro të ardhura.Të ardhurat e siguruara nga eksporti shpërndahen në mijëra familje të banorëve që vjelin këtë frut, (deri 3.700 euro/famile) dhe gjithashtu një pjesë shkonë për financimin e grumbulluesve ndërmjetës, deri në qendrat e grumbullimit të eksportuesve. Vlere e shtuar në fondin pyjore është edhe Lajthia në gjendje të egër e cila mblidhet dhe tregtohet nga banoret e zonave rurale.

Krahas vlerësimit të përfitimeve ekonomike që vijnë nga pyjet, një rëndësi të veçantë ka edhe vlera e tyre ekonomike e shërbimeve të patregtueshme që ofrohen nga ekosistemet pyjore. Pyjet ofrojnë vlera të konsiderueshme jo të tregtueshme të cilat janë po aq sa dhe në disa raste edhe më të mëdha, se vlerat e tregtueshme. Kështu, prerja e pyjeve zbeh vlerën e tyre të kënaqësisë estetike dhe të rekreacionit që zhvillohet në zonat pyjore. Ndërsa sekuestrimi i karbonit ka potenciale të mëdha për të gjeneruar përfitime të tregtueshme përmes mbjelljes së pemëve. Parandalimi i humbjeve të pyjeve nga katastrofat natyrore përmes një menaxhimi aktiv dhe ruajtja e drurëve të shëndetshëm, garantojnë përfitime jo të tregtueshme. Përfitimet nga vlerat jo të patregtueshme duhen përllogaritur me qëllim që të nxiten politikat e incentivave për prodhimin e vlerave të patregtueshme si dhe për të ofruar edukim e asistencë teknike me qëllim nxitjen e ndryshimeve për prodhimin e të mirave materiale apo shërbimeve.

Pyjet përbëjnë një atraksion mjaft të madh për zhvillimin e ekoturizmit bazuar në funksionet si ekosisteme komplekse përmes llojshmërisë/biodiversitet, përbërjes, shtrirjes dhe pozicionit që mbajnë në natyrë, larmisë së peizazheve dhe ngjyrave në vjeshtë, rëndësinë dhe mundësitë që ofrojnë si vendbanime për kafshët e egra, rregullimin e kushteve hidrologjike, ujërave, pastrimin e ajrit nga ndotjet përmes thithjes së dyoksidit të karbonit (CO2), dhe përfundimisht ndikojnë në rritjen dhe përmirësimin e cilësisë të jetës.Mbështetur në rolin shumë dimensional, pyjet duhet të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe të mençur në bazë të parimeve të menaxhimit të qëndrueshëm me qëllim që të ofrojnë shërbime të shumëfishta direkte dhe indirekte. Mbi këtë bazë, institucionet, pronarët/përdoruesit e pyjeve, organizata të ndryshme të cilat merren me zhvillimin e turizmit, mbrojtjen e pyjeve dhe mjedisit, duhet t’i kushtojë rëndësi zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme në pyje dhe toka pyjore. Ekosistemet pyjore do të mundësojnë mirëmbajtjen dhe ruajtjen e shumëllojshmërisë së tyre biologjike (biodiversietit), prodhimtarinë, kapacitete ripërtëritëse, vitalitetin dhe potencialin e tyre, me qëllim që të përmbushin në vazhdimësi funksionet kryesore ekologjike, ekonomike dhe sociale, në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global.Megjithë këto vlera që ka sektori i pyjeve, vlerësimet kanë munguar. Punësimi informal në pyje shpesh nuk është reflektuar në statistikat kombëtare. Kjo dëshmi është e rëndësishme për të informuar politikat për menaxhimin dhe përdorimin e pyjeve dhe për të siguruar se përfitimet nga pyjet njihen, jo vetëm në lidhje me mjedisin, por edhe për kontributin e tyre në çështje më të gjera sociale.Ç’është më e rëndësishmja, informacioni mund të përmirësohet dhe politikat të rregullohen, në mënyrë që përfitimet socio-ekonomike nga pyjet mund të rritet në të ardhmen.

Forumi Pan – Europian i Pyjeve ku të gjitha vendet pjesëmarrëse u dakortësuan me shprehjen e misionit: “Për të formësuar një të ardhme ku të gjithë pyjet evropiane të jenë jetike, produktive dhe multifunksionale. Ku pyjet të kontribuojnë në mënyrë efektive për zhvillimin e qëndrueshëm, nëpërmjet sigurimit të mirëqënies njerëzore, një mjedis të shëndetshëm dhe mbështesin zhvillimin ekonomik në të gjitha shtetet e Evropës. Ku potenciali unik i pyjeve për të mbështetur një ekonomi të gjelbër, jetesën, zbutjen e ndryshimeve klimatike, ruajtjen e biodiversitetit, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe luftën kundër shkretëtirëzimit të realizohet në dobi të shoqërisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.